Kryesore

PD: Rama e di se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar prandaj hesht


               Publikuar në : 14:02 - 10/08/19 |
Al Do

Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Rama se ai ka qenë të dijeni të faktit se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali në vitin 2003.

Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi deklaroi se heshtja e kryeministrit lidhur me akuzat e PD se Pjetri është dënuar në Itali për trafik droge provon se kjo është e vërtetë. Bardhi shkoi më tej duke thënë se pikërisht për këtë arsye Rama e ka promovuar Pjetrin nga Drejtor Hipotekash në prefekt e më pas në krye të Bashkisë.

“Edi Rama e ka ditur që Valdrin Pjetri është dënuar në Itali për trafik droge, por sërish, i besoi atij drejtimin politik të qarkut më të madh të veriut të vendit. Heshtja e Edi Ramës tregon se ai e ka ditur këtë fakt, kur e emëroi Drejtor të Hipotekave, kur e emëroi prefekt të Shkodrës, kur e emëroi kandidat për Bashkinë e Shkodrës. Me një trafikant droge në krye të bashkisë, Edi Rama ka  ndërmend t’ia dorëzojë Shkodrën edhe zyrtarisht, krimit të organizuar. Edi Rama nuk ka ndërmend të mbajë asnjë përgjegjësi që i ka propozuar shkodranëve për kryebashkiak një trafikant droge, të dënuar në Itali në vitin 2003” u shpreh Bardhi

Bardhi tha gjithashtu se makinacionet për të tërhequr Valdrin Pjetrin në mënyrë që Rama të shpëtojë karrigen e Kryeministrit, nuk do të funksionojnë.

“Prandaj Edi Ramës, si njeriu që në politikë ka promovuar vetëm trafikantë dhe vrasës, i mbetet vetëm një zgjidhje: të ikë bashkë me Valdrinin! Të japë dorëheqjen dhe të largohet me turp si Kryeministri, i cili u imponon qytetarëve të Shkodrës, të qeverisen nga një i dënuar për trafik droge. Të njëjtën gjë bëri me Kavajën, me Krujën, me Laçin, me Lezhën, me Tepelenën, me Vorën. Të njëjtën gjë bëri me dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët i detyroi të përfaqësohen në parlament me vrasës, trafikantë të qenieve njerëzore dhe kriminelë të tjerë të rrezikshëm.

Partia Demokratike e siguron Edi Ramën se duke heshtur, nuk e shpëton dot as veten, as trafikantin e preferuar të drogës në Shkodër! E vërteta nuk ka për të vonuar. Makinacionet për të tërhequr Valdrin Pjetrin për të shpëtuar karrigen e Kryeministrit, siç i thonë në Shkodër, janë të dala boje” mbylli deklaratën Gazment Bardhi. /Opinion.al

Pas