TIRANË- Partia Demokratike ka deklaruar sot se në Komisariatin e Vlorës është grabitur një furgon me 800 kg drogë. Sipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj tha se ngjarja ka ndodhur prej një jave dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri po e mban të fshehtë.
“Furgoni me drogë në të vërtetë nuk është grabitur, por është lejuar të merret, i janë hapur portat”, tha ai, ndërsa shtoi se “droga lidhet me kushërinjtë e ministrit, me Habilajt e targës AA003GB”.
Sipas Alibejat, urdhëri nga lart ka qënë i prerë: “Akush të mos flasë, kush hap gojën pushohet nga puna”. Skandali u zbulua pasi Guardia di Financa kapi pastaj në Itali, këtë sasi droge. “Tahiri mësohet se ka bërë disa lëvizje në Policinë e Vlorës për të kopsitur përfundimisht çështjen, për ta mbuluar atë”, tha më tej Alibeaj.
Edhe ndryshimin e shefit të Kufirit, Alibeaj e lidhi me këtë ngjarje. “Eshtë larguar nga detyra shefi i kufirit të Vlorës për tu zëvendësuar nga një besnik fanatik i Saimirit, dhe me lidhje të forta me Habilajt”, u shpreh ai.
Nuk ka ende një reagim Ministria e Brendshme për vertetësinë e kësaj ngjarje që denoncon opozita.