Konflikti për të fituar të drejtën e trashëgimisë së pronave të familjes Pazari që ndodhen në Laprakë të Tiranës, ka zbuluar një skemë falsifikimesh të kryera që në vitet e para të tranzicionit e në vazhdimësi, për tjetërsimin e një trualli prej mijëra metrash katrorë në pronësi të shtetit që sipas prokurorisë ndodhet në një zonë ushtarake.
Prokuroria nxori të shtunën urdhër ndalimi për Kadri Pazarin dhe Arben Çaçin – dy pinjollëve të një familje të njohur shehelerësh, si dhe për ndërtuesin Dritan Llanaj – një biznesmen që ka pasur edhe në të kaluarën probleme me drejtësinë.
Falsifikimet dhe pastrimi i parave dyshohet se kanë vazhduar për vite me radhë, pavarësisht vendimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe të Gjykatës së Apelit – nga viti 1998 e deri në vitin 2017, me anë të të cilave janë deklaruar të falsifikuara një vendim gjykate dhe një testament i vitit 1939.
Hetimi ka gjetur se punonjësit e ZVRPP kanë zhdukur dokumentet origjinale nga dosja e pronësisë dhe i kanë zëvendësuar me ato të falsifikuara duke vendosur edhe vulat e institucionit në çdo faqe.
Falsifikimi dhe shpërdorimi i detyrës ka sjellë si pasojë ekzistencën e dy pronarëve për të njëjtën sipërfaqe toke, konkretisht të personave të hetuar për falsifikim e pastrim parash dhe të Spitalit Ushtarak.
Por, pavarësisht se prokuroria urdhëroi të shtunën ndalimin e dy prej trashëgimtarëve të familjes Pazari dhe të ndërtuesit Llanaj si të dyshuar në këtë aferë, ishte e pamundur të kryhen arrestime të zyrtarëve të ZVRPP-së dhe KKKP-së, për shkak të parashkrimit të veprës penale që dyshohet të jetë kryer prej tyre gjatë viteve 2007 dhe 2008.
“Pavarësisht se vepra penale që dyshohet se kanë konsumuar disa prej zyrtarëve të ZVRPP dhe KKKP është parashkruar, ne do të hetojmë për t’i identifikuar me qëllim që ata të mos mund të jenë më pjesë e administratës shtetërore, pasi pasojat që kanë sjellë veprimet e tyre antiligjore janë të rënda”, pohoi për BIRN prokurori i çështjes Ervin Karanxha.
Falsifikimi i testamentit
Ka qenë një prej pasardhësve të familjes Pazari, ai i cili ka denoncuar të afërmit e tij se me anë të dokumenteve të falsifikuara i kanë hequr të drejtën e pronës së trashëguar dhe se kanë zaptuar një truall shtetëror. Sipas prokurorisë, denoncuesi Gazmend Fortuzi, shpjegon në kallëzimin e tij se ka trashëguar nga i ndjeri Sheh Ahmet Ali Pazari një sipërfaqe toke prej 174.871 metra katrorë.
Ai ka pretenduar në kallëzim se po i vidhet prona me anë të një testamenti të falsifikuar të vitit 1939 që është hetuar më parë nga organi i akuzës. Nga hetimet e organit të akuzës, ka rezultuar se prokuroria ka konstatuar falsitetin e këtij testamenti në prill të vitit 1998. Gjithashtu, ky fakt është konstatuar edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1442 datë 5 qershor 2017, ku është deklaruar si i falsifikuar testament i vitit 1939. Ai ka shpjeguar në kallëzim se pavarësisht këtyre veprimeve të paligjshme prona e tij vazhdon që të vidhet, duke u përdorur testamenti i falsifikuar.
Më tej denoncuesi ka pretenduar se me anë të një vendimi të falsifikuar të KKKP-së të vitit 2000, pasi është kthyer prona që gjendet në territorin e Spitalit Ushtarak po kryhet dhe tjetërsimi i saj.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i Bashkisë Tiranë me vendimin nr. 232 datë 06.07.2000 u ka njohur, kthyer e kompensuar trashëgimtarëve të ish-pronarëve Sheh Ali Pazari, Xhemal Pazari dhe Hamdi Pazari, sipërfaqen 173.871 m2 të ndodhur në lagjen Laprakë dhe Bregu i Lumit ku gjendet Spitali Ushtarak në Tiranë. Trashëgimtarët e familjes Pazari, e kanë regjistruar këtë pronë në regjistrin hipotekor me nr. 164 më 7 korrik 2000 dhe janë pajisur me vërtetim nga dokumentet hipotekorë pesë ditë më vonë.
Në dosjen hetimore të prokurorisë – një pjesë së të cilës BIRN e disponon, thuhet se në dokumentet hipotekore të vitit 2000, trashëgimtarëve të familjes Pazari u lind e drejta e parablerjes së objekteve dhe i kthehet një truall i lirë i barabartë me 21,184 m2 brenda Spitalit Ushtarak, nëse ky i fundit privatizohet. Trashëgimtarëve gjithashtu i kthehet një shtëpi dhe kopësht me sipërfaqe 3345 m2.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka konstatuar se më datë 3 korrik të vitit 2008, ZVRPP, në mënyrë abuzive e të paligjshme ka pajisur trashëgimtarët e familjes Pazari me një vërtetim pronësie, duke i kthyer truallin prej 21184 m2 brenda Spitalit Ushtarak, pavarësisht se ky i fundit nuk ishte privatizuar.
Prokurorët kanë konstatuar se personat e interesuar kanë falsifikuar vendimin e KKKP-së në faqen 3 të tij, në pikën 1, ku bëhet fjalë për truallin me sipërfaqe 21841 m2, brenda territorit të Spitalit Ushtarak duke ndërhyrë, falsifikuar, e fshirë një pjesë të fjalisë duke hequr pjesën: “kur spitali të privatizohet”.
Prokuroria vlerëson se trualli në fjalë, është pjesë përbërëse e territorit të Spitalit Ushtarak dhe përderisa nuk është privatizuar, klasifikohet si pronë shtet.
Pasi kanë arritur të falsifikojnë dokumentet me anë të të cilave kanë fituar pronësinë e drejtpërdrejtë të truallit që gjendet në territorin e Spitalit Ushtarak, në 3 korrik 2008, trashëgimtarët e familjes Pazari, kanë lidhur një kontratë noteriale për shkëmbimin e truallit 21,091 m2 me një sipërfaqe 600 m2 tokë-arë në Yzberisht Tiranë, në pronësi të ndërtuesit Dritan Llanaj.
Ky veprim sipas prokurorisë ka pasur qëllim të mjegullojë origjinën e paligjshme të pronës.
“Që në pamje të parë kjo kontratë pasqyron mjaft qartë fiktivitetin e veprimit juridik si dhe bashkëpunimin në krim, të bërë me qëllim fshehjen, tjetërsimin mbulimin e origjinës së vërtetë të pronës për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga pasojat e veprës penale të falsifikimit”, citohet në kërkesën e prokurorisë për ndalimin e trashëgimtarëve të familjes Pazari dhe ndërtuesit Llanaj.
Për të bërë të mundur përfitimin e sipërfaqes prej rreth 21 mijë m2 që ndodhet brenda territorit të Spitalit Ushtarak, falsifikatorët kanë arritur të bëjnë të mundur depozitimin e vendimit të falsifikuar në ZVRPP gjatë periudhës 2007 – 2008, ku rezulton të jetë lëshuar vërtetim nga dokumentet hipotekorë në favor të trashëgimtarëve të familjes Pazari që dyshohet se kanë kryer falsifikimin.
Madje, në bashkëpunim me punonjësit e ZVRPP dhe ish-AKKP, kanë bërë të mundur zhdukjen nga dosja nr 1210 në emër të Sheh Ali Pazarit të vendimit origjinal nr. 232 datë 06.07.2000 të KKKP-së si dhe të procesverbalit të mbajtur nga specialistët e grupit të punës mbi bazën e të cilit është nxjerrë ky vendim, duke futur në këtë dosje kopjen e falsifikuar – duke i vënë vulën lidhëse e duke e paraqitur si kopje origjinale, të nxjerrë nga arkiva e hipotekës pasi përmban dhe numrat arkivorë të saj. Këto veprime prokuroria i cilëson me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
Falsifikimi “krijoi” dy pronarë për të njëjtin truall
Pas regjistrimit të pronës në emër të trashëgimtarëve të familjes Pazari ka reaguar edhe Drejtoria e Spitalit Ushtarak që i është drejtuar zyrtarisht AKKP-së për të shqyrtuar dhe shfuqizuar pjesërisht këtë vendim në pikën 1/e të tij e cila rezultonte të ishte në kundërshtim me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Nga ana e AKKP i është kthyer përgjigje duke bërë me dije se Spitali Ushtarak nuk është as subjekt i shpronësuar dhe për këtë arsye nuk legjitimohet për të ankuar vendimin. Të njëjtën përgjigje AKKP i ka kthyer edhe Avokaturës së Shtetit.
Pas përfitimit nëpërmjet shkëmbimit të kësaj pasurie nga ana e ndërtuesit Dritan Llanaj, është kërkuar pajisje me dokument pronësie. Por, nga ZVRPP, gjatë procesit të regjistrimit është konstatuar se kjo pronë mbivendoset me pronë shtetërore dhe për këtë arsye është vendosur kufizimi i veprimeve të mëtejshme.
Si rezultat i kalimit të të drejtave nëpërmjet shkëmbimit të pronës me trashëgimtaret e familjes Pazari, ndërtuesi Dritan Llanaj ka përfituar kompesim financiar duke u shpronësuar për sipërfaqen në favor të 10 lejeve të legalizimit sipas VKM nr. 616 datë 11.06.2009 e gjithashtu ka aplikuar në ZVRPP duke kërkuar spostim dhe modifikim e saktësim të kufijve të hartës të pasurive në emër të tij. Hetuesit kanë konstatuar se nga ana e ZVRPP është urdhëruar heqja e kufizimit dhe ndryshimi i sipërfaqeve duke krijuar kufizime të reja e zhvendosur kufijtë e pronave.
“Beteja” mes pasardhësve të familjes Pazari për pronat ka nisur menjëherë pas vendimeve të marra nga institucionet përkatëse në vitet e para të tranzicionit, për kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara.
Një prej trashëgimtarëve të familjes Pazari, i cili ka kryer kallëzim ndaj të afërmve të tij ka pretenduar se origjina e kësaj prone sipas dokumentacionit të vjetër hipotekor dhe arkivor vjen nga gjyshi tij, Sheh Ahmet Ali Pazari, por trashëgimtarët e tjerë të familjes Pazari, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë arritur të ndryshojnë pronësinë. Kjo, falë edhe falsifikimit të një vendimi gjyqësor të shkurtit 1939, çdo pronë ka kaluar në favor të subjektit Ali Pazari e trashëgimtarëve të tij, duke përjashtuar në këtë mënyrë trashëgimtarët e tjerë të pronarit të vërtetë të pronës Sheh Ahmet Ali Pazarit. Ky vendim i vitit 1939 ka rezultuar i falsifikuar pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës në vitin 1998 por çështja penale është pushuar për shkak të ligjit “Për amnistinë” të vitit 1997, duke deklaruar dokumentin si të falsifikuar. Sipas prokurorisë, i njëjti vendim i Gjykatës së Paqit Tiranë është deklaruar i falsifikuar edhe me vendimin gjyqësor nr.1442 datë 5 qershor 2017 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Pastrimi i parave
Nga hetimet prokuroria ka konstatuar se mbi këtë pronë të marrë me dokumente të falsifikuara është marre leje ndërtimi dhe se po cënohen rëndë interesat e shtetit pasi kjo tokë shtetërore ndodhet në një territor ushtarak. Prokuroria argumenton se tjetërsimi është një element i rëndësishëm i anës objektive të pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Kemi edhe pasoja të rënda të ardhura pasi është tjetërsuar prona e Spitalit Ushtarak si dhe nëpërmjet testamentit të falsifikuar janë përfituar prona dhe të holla, duke cënuar rëndë vajzat e trashëgimtarit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një falsifikator i cili ka cënuar rëndë interesat e qytetarit dhe të shtetit dhe se ai është treguar maskilist duke shmangur vajzat nga trashëgimia e babait te tyre”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.
Nga hetimet ka rezultuar se personat e dyshuar Arben Çaçi dhe Dritan Llanaj në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe me të ndjerin F. Xh., nëpërmjet veprimeve juridike fiktive, kanë shkëmbyer pronën 21 091 m2, truall brenda territorit të Spitalit Ushtarak me pronën, tokë arë me sipërfaqe 600 m2 në pronësi biznesmenit Dritan Llanaj dhe përsëri nëpërmjet veprimit juridik të kontratës së shitjes me kusht të majit 2009 janë ribërë pronarë të gjysmës së pronës së tyre me sipërfaqe 10,545.5 m2 duke e ndarë mes njëri-tjetrit në ½ pjesë e duke u bërë të tre bashkëpronarë në sip. 21091 m2. Hetuesit kanë gjetur se ata kanë paraqitur në ketë kontratë transaksione në shumën e 4 milionë euro dhe kushte fiktive në lidhje me privatizimin e objekteve etj.
“Ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një veprimtari të rëndë kriminale ku brenda ditës kryhen veprime dhe nga akti noterial del se janë dhënë 4 milionë euro për të cilat nuk dihet origjina e tyre. Pra falsifikohen dokumente me qëllim për të futur në punë para të cilat nuk i dihet burimi i tyre dhe më pas legalizohen… . Kjo tregon edhe një herë se kemi të bëjmë me pastrim të pastër të veprës penale dhe kemi para që nuk i dihet origjina”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për ndalimin e tre personave të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë .
Prokuroria ngre dyshime se veprimet kriminale kanë nisur që prej momentit të falsifikimit të testamentit në kohën e daljes së vendimeve të kthimit të pronave dhe më pas ka gjeneruar në falsifikimin e të gjithë dokumenteve duke futur në lojë edhe organet e administratës shtetërorë, konkretisht ZRPP dhe KKKP.
“Kjo tregon për qëndrueshmëri në kryerjen e veprës penale. Vepra penale e kryer ka një masë minimale dënimi jo më pak se 15 vjet, pasi kemi pasoja të rënda në dëm të shtetit dhe të interesave të shtetit”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
“Mashtruesit dhe falsifikuesit kanë përdorur çdo metodë për të realizuar qëllimin kriminal të tyre për pastrimin e parave kriminale”, theksohet në dosje. / BURIMI: reporter.al