Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 11 vite burgim Artur Ballën, kunatin e Rezart Taçit, dhe 10 vite burgim Bledar Lilon, shoferin e tij.
Lilo dhe Balla dyshohet se kanë kryer veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ata akuzohen si bashkëpunëtorë të biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçi në skemën e pastrimit të mbi 18 milionë Eurove.
Gjithashtu, është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18.399.941.50 (tetëmbëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.
Referuar dosjes hetimore të SPAK dhe antimafias italiane, në këtë skemë ishin përfshirë 7 persona dhe në krye të saj qëndronte biznesmeni italian Francesco Zummo dhe ekonomisti i tij Fabio Petruzzella.