Pasiguri, frikë, besim: Çfarë thonë serbët për jetën e tyre në Kosovë?

Çdo vit, organizata joqeveritare Aktiv publikon një raport me qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë, pjesëtarët e të cilit i pyet për kushtet e jetesës, frikat dhe shpresat e tyre. Ja çfarë thanë pjesëtarët e këtij komuniteti në raportin e fundit, të publikuar sot.

Pesë vjet më parë, pothuajse gjysma e serbëve që jetojnë në Kosovë kishin thënë se prisnin që jeta e tyre të përkeqësohej në vitet e ardshme. Raporti i fundit tregon se ky numër është rritur edhe më shumë tani.

Kjo ka bërë që gati një e treta e të anketuarve – gjithsej 503 serbë u përfshinë në hulumtimin e sivjetmë – të thonë se do të largoheshin nga Kosova nëse do të kishin mundësi, ndërsa një e pesta të deklarojnë se nuk e shohin fare të ardhmen e tyre në Kosovë.

“Ky është një tregues dëshpërues”, tha Miodrag Milliçeviç, drejtor ekzekutiv i organizatës Aktiv, gjatë prezantimit të raportit, më 30 prill, në Prishtinë.

Më shumë skepticizëm vërehet në mesin e të anketuarve që vijnë nga komunat e banuara me shumicë serbe në veri, në krahasim me ata që jetojnë në komunat në jug të lumit Ibër.

Në tre vjetët e fundit, veriu i Kosovës – i banuar kryesisht nga popullatë serbe – është përballur me tensione, për shkak të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të vendosur kontroll në këtë pjesë.

Tensionet kulmuan në shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur në Banjskë nga një grup serbësh, të udhëhequr nga Millan Radoiçiç, atëherë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, me mbështetje nga Beogradi. Në këtë sulm u vra një polic i Kosovës dhe tre nga sulmuesit serbë.

Në raportin e sivjetmë, Aktiv thekson se presioni nga Qeveria e Kosovës – si ndalimi i përdorimit të dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë – ka pasoja negative afatgjata për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.

“Në vend të komunikimit dhe bashkëpunimit, kemi – dhe do të kemi – pasiguri dhe mosbesim”, thuhet në raport.

Por, si në jug, si në veri, serbët shprehen të shqetësuar edhe për gjendjen e tyre financiare.

Ndikim të keq në gjendjen financiare të tyre thuhet të ketë pasur ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa në Kosovë, që hyri në fuqi më 1 Shkurt të vitit të kaluar, bazuar në Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.

Megjithatë, të anketuarit e kanë listuar paqëndrueshmërinë politike si shqetësimin kryesor në jetën e tyre në Kosovë.

Edhe pse mbi 50 për qind thonë se siguria është problem për ta, vetëm rreth 18 për qind deklaruan se siguria e tyre është rrezikuar gjatë vitit të kaluar.

Trendët negativë në qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë po vazhdojnë – ndjenja e pasigurisë mbetet e pranishme, pavarësisht rënies së frikës nga një konflikt i hapur pas sulmit të armatosur në Banjskë, në vitin 2023.

Sa i përket politikës, vetëm rreth 11 për qind thonë se nuk i ndjekimet zhvillimet politike në Kosovë.

Megjithatë, rreth 90 për qind e të anketuarve nuk pranuan të komentojnë se sa u besojnë politikanëve dhe partive politike – qofshin ato serbe apo shqiptare.

Por, as besimi në Qeveritë e Kosovës dhe atë të Serbisë nuk ishte i lartë.

Duke komentuar gjetjet e raportit, Jovana Radosavleviç nga organizata joqeveritare Nisma e Re Shoqërore tha se në mesin e komunitetit serb në Kosovë ekziston një “gjendje zhgënjimi” dhe se “besimi në institucione ka rënë në mënyrë drastike”.

Sa u përket shteteve të huaja, serbët e Kosovës besojnë se Rusia është mbrojtësja më e madhe e interesave të tyre. Megjithatë, ky besim është venitur në vitet e fundit.

Sipas Aktiv-it, kjo ka ndodhur pasi që “besnikëria emocionale nuk është më e mjaftueshme pa mbështetje konkrete”.

Përderisa besimi në Bashkimin Evropian është rritur në vitet e fundit për shkak të investimeve në projekte të ndryshme, ai mbetet i ulët sepse “qytetarët mendojnë se Brukseli favorizon Kosovën” e jo Serbinë.

Sipas të dhënave të Aktiv-it, rreth 42 për qind e të anketuarve s’kanë fare qëndrim për negociatat mes dy vendeve, që ndërmjetësohen nga BE-ja.

Gati gjysma besojnë se Asociaconi i komunave me shumicë serbe – edhe pse thonë se do të kishte ndikim pozitiv në jetën e tyre – nuk do të formohet fare.

Opsionin – edhe pse asnjëherë të propozuar zyrtarisht – për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, serbët lokalë e shohin me më shumë skepticizëm.

Sipas Aktiv-it, një tjetër problem që vështirëson tejkalimin e problemeve ndëretnike është komunikimi i rrallë i serbëve me shqiptarë.

Mbi 12 për qind e të anketuarve thanë se nuk kanë kurrë kontakt me shqiptarët, ndërsa mbi 30 për qind thanë se kanë kontakt vetëm rrallëherë.

Edhe pse vetëm 12 për qind thonë se komunikimi i tyre me shqiptarë ka qenë negativ, shumica thonë se s’do të pranonin shqiptarë në familjen e tyre.

Sipas vlerësimit dhe regjistrimit të fundit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, rreth 20 mijë serbë jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ndërsa, në gjashtë komunat në jug – Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë dhe Ranillug – thuhet se jetojnë rreth 27 mijë./REL




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT