Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës, Romina Kuko ka dhënë dorëheqjen nga detyra si zëvendësministre e Brendshme, pasi u zgjodh deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kuko ka dorëzuar zyrtarisht ditën e sotme kërkesën për lirimin e saj nga detyra si zëvendësministre e Brendshme.
Përmes një letre drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Kuko shkruan se është kualifikuar në listën fituese dhe për këtë arsye kërkon lirimin nga detyra në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore.
“Në këtë kuadër, paraqes dorëheqjen time nga ky funksion, duke Ju falenderuar për besimin dhe mundësinë për të shërbyer në këtë detyrë të rëndësishme”, thuhet në fund të letrës së firmosur nga Kuko më 22 maj 2025.