Faqja e INSTAT është rikthyer në funksionim pak ditë pasi qe objekt i një sulmi kibernetik.
Zyrtarisht u njoftua se nga sulmi nuk ishin prekur të dhënat e Censit që u bë me dije se kanë qenë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.
“INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar. INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.
Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim”, u tha një njoftimin zyrtartë këtij institucioni./Opinion.al