Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu ka reaguar pas publikimit të një video nga kryeministri Rama gjatë një takim me banorët ku ai tha se: “Kush ka vendosur flamurin e PS dhe të LSI -së le ta heqë brenda ditës së sotme, sepse nesër do t’i prishim shtëpinë”.
Mziu ka kërkuar ndjesë publike për deklaratën e bërë, por sipas tij ajo është nxjerr edhe nga konteksti.
“Kërkoj ndjesë për keqkuptimet e krijuara me qëllim nga propaganda e Edi Ramës në lidhje me një deklaratë timen, të veçuar, të nxjerrë nga konteksti, e të interpretuar sipas oreksit politik dhe elektoral të qeverisë.
Në fjalën time në një takim me banorët e Valiasit unë u jam referuar ndërtimeve pa leje, në shkelje të hapur të ligjit, që kanë shpërthyer gjatë kësaj fushate elektorale, dhe si mburojë kanë flamujt e PS-së dhe të LSI-së, dhe kandidatët e tyre që i nxitin këto paligjshmëri duke kërkuar votën në këmbim.
Gjatë gjithë punës sime, jam krenar që kam mbrojtur dhe kam punuar e shërbyer, që ndërtimet e njerëzve të ardhur në Kamëz e në Paskuqan nga gjithë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të legalizohen, të urbanizohen, të marrin shërbime dhe banesat e tyre të kenë vlerë.
Njeriu që shemb dhe prish, njihet fort mirë, ai është Edi Rama”, deklaroi Mziu.