Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se është koha të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria pasi entuziazmi për ngritjen e 1.15 miliardë eurove në Konferencën e Donatorëve përfundoi ditën e djeshme.
Në një konferencë për mediat, Kryemadhi shprehu falënderimin e saj për donatorët të cilët i dhanë “shqiptarëve forcën dhe kurajën për të vazhduar betejën e tyre” dhe “për t’iu treguar se nuk janë vetëm”.
Megjithatë ajo vuri në dukje se 256 milionë euro i janë dhuruar Shqipërisë ndërsa pjesa tjetër, 885 milionë euro, janë “kredi që do i paguajnë taksat e shqiptarëve”. Kryemadhi bëri thirrje që grantet të vihen në përdorim sa më shpejtë për rindërtimin e banesave në mënyrë që mos “t’i kap dimri i vitit tjetër”.
Ajo akuzoi qeverinë si “të paaftë” për t’iu ofruar shërbime qytetarëve dhe shtoi se fondet e mbledhura duhen monitoruar.
“Është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi, me ekspertë për të bërë monitorimin e këtij projekti, se besimi i shqiptarëve ka humbur. “SHBA do të themelojnë akademinë e transparencës për administrimin transparent të fondeve”, që gjë tregon qartë , se shqiptarët janë mësuar se paratë shkojnë në xhepat e rilindësve. Qeveria e ka treguar që është e paaftë për vende të reja pune, e paaftë për t’iu shërbyer shqiptarëve. Ne do të jemi të gatshëm dhe vigjilent për çdo projekt”, tha kryetarja e LSI-së. /Opinion.al