Një ditë pas dorëheqjes, Basha ka kujtuar 22 marsin, ditën kur Partia demokratike fitoi zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1992. Basha u ka uruar qytetarëve ditën e parë të demokracisë, ndërsa më tej shkruan se rrugëtimi i PD-së ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
Ndër të tjera ai shprehet se sot në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të bashkuar.
“30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane.
Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit.
Gëzuar ditën e parë të demokracisë!”./Opinion.al