Dëmtimi i pësuar në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Sporting Lisbonës ka rezultuar më i rëndë sesa mendohej dhe si rrjedhojë, Gareth Bale nuk do të jetë në fushën e lojës në “El Clasico” kundër Barcelonës më 3 dhjetor.
Lojtari u largua nga fusha e lojës pak minuta para përfundimit të ndeshjes së djeshme në Portugali dhe fillimisht u mendua se kishte një ndrydhje në kaviljen e djathtë. Por gjatë vizitave të specializuara mjekësore të sotme u kuptua që ai kishte një dëmtim në tendina dhe si rrjedhojë duhej të qëndrojë pushim për një periudhë prej të paktën dy javësh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai t’i nënshtrohet një operacioni të vogël.
Si rrjedhojë, parashikohet që Bale të jetë pushim për ndeshjen kundër Barcelonës më 3 dhjetor, por ndoshta edhe në takimin Ligës së Kampioneve ndaj Borusias së Dortmundit, që do të përcaktojë edhe hierarkinë e grupit në të cilin bëjnë pjesë të dy skuadrat.