Aktualitet

Parukeritë pas 11 majit, veshje plastike ‘kokë e këmbë’ për klientët


               Publikuar në : 23:40 - 07/05/20 |
Al Do

Hapja e qendrave estetikeve dhe parukerive në Shqipëri pas 11 majit do të ndiqet nga rregulla strikte të kushtëzuara nga situata e COVID.

Urdhri i masave higjieno-sanitare për parukeritë dhe qendrat estetike të publikuar në e-albania përcakton se çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshme për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Çdo klient që kryen shërbime të trajtimit trupor duhet të pajiset me veshje njëpërdorimshme, e cila hidhet në kosh.

Në hyrje dhe dalje subjekti duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për personelin dhe këdo që hyn e del në ambientet e brendshme dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim. Në rast të pamjaftueshmërisë së hapësirës subjekti shërben aq klientë sa i lejon hapësira duke respektuar detyrimin e mësipërm. Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.

Karriget, poltronat, krevatet etj. ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on me njëpërdorimshme. Në mungesë të mbështjellëses, vendet e ofrimit të shërbimit duhet të dezinfektohen mirë për çdo klient. Letra e përdorur griset dhe hidhet në kosh.

Peshqirët duhet të jenë të ambalazhuar/paketuar dhe të përdoren vetëm njëherë për çdo klient. Pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë. Peshqirët duhen larë çdo ditë. Prekja e peshqirëve të papastër bëhet vetëm me doreza.

Çdo pajisje pune si gërshërë, makina qethëse, furça, krehër, pjastra, pajisje depiluese, kapëse plastike, mjete pune druri, metalike apo plastike etj. duhet dezinfektuar/sterilizuar për çdo klient si dhe para e pas mbylljes së aktivitetit ditor. Për pajisjet metalike të punës rekomandohet edhe përdorimi i sterilizimit me autoklava.

Klienti që kryen trajtime të fytyrës mund të mos mbajë maskë, por duhet të sigurohet distanca më e madhe e mundshme klient-ofrues shërbimi dhe koha të reduktohet në maksimum. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore. /Opinion.al

Pas