Ndonëse u zotuan se do t’i shmangnin, partitë politike kanë nisur vendosjen e posterave në rrugë. Beteja për vendosjen e sa më shumë pankartave duket se është në kryeyqytet, mes PS dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Por edhe në këtë fushatë zgjedhore, partitë politike e patën të vështirë t’i rezistojnë traditës së posterave me imazhet e tyre nëpër rrugë.
Thuajse në çdo cep te kryeqytetit shihen këto imazhe, më shumti të Partisë Socialiste. Përveç fotos së Edi Ramës, socialistët kanë zgjedhur që në gjysmën tjetër të posterit, të pasqyrojnë në mënyrë të zymtë kundërshtarët politikë, për të përcjellë mesazhin që përmban edhe slogani i tyre, “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa”.
Por as opozita nuk ka ndenjur duarkryq. Në disa prej imazheve të socialistëve kanë mbivendosur postera që përfshijnë fotot e ish- ministrave Saimir Tahiri dhe Lefter Koka, tashmë të burgosur, ish-deputeti socialisit Alqi Bllako, Arben Ahmetaj, Engjell Agaçi si dhe kryetari aktual i Tiranës, Erion Veliaj. Disa prej tyre, bashkia është kujdesur t’i largojë.
Gjithsesi ditët në vijim, do të tregojnë se nëse do të ketë zotime të tjera të cilat partitë politike nuk do t’i përmbajnë dot./ Klan News