Deputetja demokrate Jorida Tabaku në intervistën me gazetarin Drini Zeqo në studion e Klan News u shpreh se Partia Socialiste është një parti e konsumuar tashmë. Tabaku theksoi se PS e ka mbyllur ciklin e saj qeverisës që në 2021.
Drini Zeqo: A mendoni se aktualisht Partia Socialiste ka një lloj përçarje politike?
Jorida Tabaku: Shiko mua nuk më intereson fare se çfarë bën Partia Socialiste. Partia Socialiste është konsumuar, e ka përfunduar ciklin e vetë. Nuk ka asnjë ministër i cili ka nisur në 2013 që sot në 2025 të jetë akoma në detyrë, nuk ka më as deputet, janë të gjithë nën hetim apo në kërkim ndërkombëtarë. Nuk dua të merrem fare me Partinë Socialiste. Ajo për mua është një parti që e ka mbyllur ciklin e saj qeverisës që në 2021. Është në pushtet me të gjitha mënyrat që ata përdorën për pushtetin. Ajo që ka ndodhur përshembull me kryetarin e bashkisë së Tiranës është ulëritëse. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është në hetim për akuza shumë të rënda që lidhen me vendimmarrjen e tij si kryetar Bashkie. Duhet të kishte ikur me kokën ulur. Kryetari i Bashkisë Tiranë është një nga zyrtarët që i ka bërë më shumë dëm këtij qyteti. Teatri Kombëtar është prishur nga Erion Veliaj sigurisht me mbështetjn e Edi Rama. Tani nuk e njeh më Tiranën. Tirana është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave nga Erion Veliaj. Ky është pushteti socialist.
Deputetja Tabaku ndër të tjera u shpreh se PD duhet të votohet për ofertën e saj ku përmendi se një fokus kyç ka edhe tek diaspora, e cila sipas saj është e etur për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Jorida Tabaku: Ne duhet të bindim votuesit që alternativa jonë është më e mira. Votuesit duhet të na votojnë për ofertën, ekipin tonë, për frymën që do të krijojmë si edhe për vërtetësinë tonë. PD të gjitha mënyrat do t’i përdori. Është një fokus edhe te diaspora si një mënyrë për t’i dhënë në dorë diasporës një fuqi dhe një pushtet që ta jep vota. Unë në Bruksel kisha mundësi të takoja edhe përfaqësues të diasporës të cilët janë të etur për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe kanë një mundësi historike. Unë e shikoj 70 me 30% mbështetjen. Duhet të ishte 100%, por edhe prej asaj që po ushtrohet, presionit ndoshta mund të jetë ky raport, por unë e shoh në masën 70% votimin e diasporës.
Ndërsa sa i përket faktorëve të rinj politik në Shqipëri, Tabaku kishte një thirrje edhe për ta për t’u bashkuar.
Jorida Tabaku: Unë nuk dua të komentoj asnjë parti tjetër, por unë kam vetëm një ofertë për këdo që sot është në opozitë që rreziku më i madh është ai që kemi përballë qeverisja që është akumuluar në këto vite si kurrë në 34 vite dhe gjykoj që çdo faktor opozitar duhet të bëhet bashkë. Mund të ketë secili nga ne mosdakordësitë tona, secili mund të ketë ambicie ego nuk është momenti. Nuk është momenti për ‘unë’ është për qytetarët shqiptarë. Bashkimi në një ofertë opozitare të përbashkët. Kam qenë gjithmonë mbështetëse e bashkimit dhe një oferte unike opozitare./tvklan.al