Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sot, deklaroi se Partia Demokratike do nisë protestat në mbarë vendin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Basha tha se do jetë një aksion politik mbarë qytetar, sepse në një vend që nuk garantohet vota e lirë, është shumë e vështirë që një individ të ndërtojë jetën e tij dhe të fëmijëve të tij.
“Partia Demokratike po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale”, tha ai.
Sipas tij; identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik janë kushte minimale për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kreu i opozitës, nënvizoi se dëshmitë tronditëse që vijnë nga vetë gjiri i qeverisë tregojnë që ky është një gjiriz dhe jo më kornizë institucionale.
“Ndaj u takon qytetarëve të marrin përsipër fatet e tyre, opozitën dhe Partinë Demokratike do t’i kenë në ballë të kësaj beteje”, tha Basha.
Protestat e organizuara nga Partia Demokratike në të gjithë vendin, do përmbyllen më 18 shkurt, në një protestë masive në Tiranë.