TIRANË- Në seancën e sotme parlamentare pritet të votohet komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
Detyrë e komisionit është hartimi i amendamenteve për ligjin zgjedhor, si dhe trajtimi i rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.
Mazhoranca publikoi dje emrat e anëtarëve që janë nga PS: Bashkim Fino, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, ndërsa nga LSI do të jetë Petrit Vasili dhe nga PDIU, kryetari i kësaj partie Shpëtim Idrizi.
Ndërkohë PD propozon Oerd Bylykbashin, Gent Strazimirin, Eduard Halimin dhe Arben Ristanin, ndërsa nga Partia Republikane pjesë e komisionit do të jetë Fatmir Mediu.
Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike, përkatësisht Bashkim Fino dhe Oerd Bylykbashi. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë te tij.