Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj Turqisë, që të ndalë ofensivën ushtarake në Siri, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në ringjalljen e aktivitetit të grupit militant, Shteti Islamik (ISIS).
Zyra e presidentit të Francës njoftoi se Macron i bëri këto deklarata gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump,
Marron theksoi se mbi të gjitha duhet të shmanget çdo ringjallje të ISIS në rajon dhe të vazhdohet mbështetja për forcat kurde, të cilat ndihmuan koalicionin ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja, që të rimerret territori sirian dhe iranian, që ishte nën kontrollin e grupit islamik.
Megjithatë, në deklaratë nuk përmendet nëse Macron ka bërë thirrje që forcat ushtarake amerikane të ndërhyjnë.
Vendimi i Trumpit për të tërhequr trupat nga rajoni i hapi rrugë ofensivës së Turqisë kundër kurdëve në verilindje të Sirisë.
Ofensiva turke sot hyri në ditën e katërt, ndërsa agjencitë e lajmeve turke, njoftuan se forcat e opozitës siriane, që mbështeten nga Ankaraja, kanë arritur në një autostradë strategjike në verilindje të Sirisë, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të kufirit turk.
Turqia ka thënë se ka për qëllim që të zmbraps Njësitet kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), që i konsideron terrorist, për shkak të lidhjeve të tyre me kryengritësit kurdë brenda territorit të Turqisë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se vendi i tij nuk do të ndalet derisa YPG-ja të tërhiqet 32 kilometra nga kufiri./Opinion.al