Bill Gates shprehet i sigurt se pas COVID-19, bota do të goditet nga një tjetër pandemi. Gates e bëri deklaratën e tij duke folur për Hadley Gamble të CNBC në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih
Ai tha se përparimet në teknologjinë mjekësore duhet të ndihmojnë botën të bëjë një punë më të mirë për ta luftuar atë nëse investimet bëhen tani.
“Do të kemi një tjetër pandemi. Do të jetë një patogjen tjetër herën tjetër”, tha Gates.
Dy vjet pas nisjes së pandemisë së koronavirusit, Gates tha se efektet më të këqija janë zbehur pasi një pjesë e madhe e popullsisë globale kanë fituar njëfarë niveli imuniteti.
“Mundësia e sëmundjes së rëndë, e cila lidhet kryesisht me të qenit i moshuar dhe me obezitet ose diabet, këto rreziqe tani janë reduktuar në mënyrë të madhe për shkak të ekspozimit ndaj infeksionit,” tha ai.
Gates tha se tashmë ishte “shumë vonë” për të arritur qëllimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të vaksinuar 70% të popullsisë globale deri në mesin e vitit 2022. Ai shtoi se bota duhet të lëvizë më shpejt në të ardhmen për të zhvilluar dhe shpërndarë vaksina, duke u bërë thirrje qeverive të investojnë tani.
“Kostoja e të qenit gati për pandeminë e ardhshme nuk është aq e madhe. Nuk është si ndryshimi i klimës. Nëse jemi racional, po, herën tjetër do ta kapim herët”, u shpreh Gates.