Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis ka reaguar sërish lidhur me çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në një deklaratë për televizionin publik grek ERT, Gerapetritis tha se “paraburgimi i Belerit është i paligjshëm dhe cenon shtetin e së drejtës”.
Ai theksoi se qeveria greke ka ndërmarrë një sërë nismash jo vetëm për lirimin, por edhe për betimin në postin e kryebashkiakut të Belerit, ndërsa shtoi se këto çështje çojnë në përshkallëzim të situatës dhe rritje tensioni.
Gerapetritis shtoi se shkarkimi i Belerit nga posti i tij do të nënkuptonte një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Ai tha se nuk ka sesi të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit.
Teksa tha se mënyra e trajtimit të çështjes përbën një pengesë serioze në rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane, ministri i Jashtëm grek shtoi se tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin tonë.