Aktualitet

Para votimit në Kuvend/ Begaj mesazh: Nëse zgjidhem Presidenti i ardhshëm…



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:58 - 04/06/22 |
Opi Nion

Kandidati i propozuar nga mazhoranca për President të Republikës Bajram Begaj ka dhënë një mesazh para votimit nga parlamenti.

Në një letër publike ai thotë se ishte e papritur por edhe shumë i emocionuar kur mori lajmin se do të votohej në seancën e sotme parlamentare si kandidat për president i vendit.

Ai thotë se ka nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra si shef i shtabit të Përgjithshëm ndërsa thekson se nëse zgjidhet president respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do jenë shtyllat e tij nën detyrën e lartë.

Mesazhi i plotë:

Ishte sa e papritur aq edhe e madhe pesha e emocionit që ndjeva, kur mora lajmin se maxhoranca parlamentare kishte vendosur të më paraqiste si kandidat në seancën e sotme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtorët, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë ku kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi.

Puna ime si mjek dhe si ushtarak më ka mësuar shumë, po mbi të gjitha më ka mësuar vlerën e respektit për tjetrin dhe të dashurisë për atdheun.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë do të jem Presidenti i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar.

Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Shqipërinë mbi gjithçka.

Duke i falenderuar të tërë për fjalët e mira e mesazhet miqësore dhe duke shprehur respektin më të madh për gazetarët që bëjnë detyrën e tyre fisnike, lutem përulësisht mirëkuptimin e të gjithëve për refuzimet e intervistave apo prononcimeve mediatike.

Jam mësuar që puna ime të flasë për mua, jo unë për veten time dhe kam frikë se nuk e ndryshoj dot këtë edhe po të dua.

Bajram Begaj/Opinion.al

Pas