Kryetari i Komunës së Prishtinës ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dy ditë pas vizitës në Tiranë. Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë Përparim Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rama shkruan në “Facebook” se nuk ka asnjë simptomë dhe se është izoluar menjëherë e ka anuluar të gjitha takimet e parashikuara.
Kryetari i komunës së Prishtinës thotë se do e vazhdojë punën, por nga shtëpia, ku edhe është izoluar.
“Të dashur qytetarë, sapo jam njoftuar nga IKSHPK se kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Jam izoluar menjëherë sapo kam kuptuar që kam patur kontakt me persona të cilët kanë rezultuar pozitivë, dhe kam anuluar të gjitha takimet e parashikuara. Për momentin, nuk kam asnjë simptomë dhe po e vazhdoj punën prej shtëpisë, duke u koordinuar me ekipin tim në mënyrë që proceset e punës të vazhdojnë normalisht gjatë ditëve të ardhshme”-shkruan Përparim Rama.
Dy ditë më parë, kryetari i komunës së Prishtinës ishte në një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku u takua dhe me kryebashkiakun Erion Veliaj./Opinion.al