Në një kohë kur Italia ka vënë në alarm dhe në një rrezik potencial të gjithë Evropën dhe veçanërisht vendet fqinje pasi duket se po shërben si vatër e përhapjes së korovirusit, Papa Françesku nuk është vetë izoluar. Përkundrazi ai ka vijuar rutinën e tij duke “thyer” të gjithë barrierat e këshilluara nga ekspertët.
Ati i Shenjtë ka zgjedhur të takohet me besimtarët dhe madje të përqafohet me disa prej tyre gjatë daljes së të mërkurës, në sheshin Shën Pjetri.
Mes panikut dhe frikës, shumë prej të pranishmëve mbanin maska, për t’u mbrojtur nga koronavirusi ndërsa Papa u shfaq ashtu si çdo herë tjetër, me veshjen e tij karakteristike dhe një buzëqeshje në fytyrën e zbuluar.
“Jam pranë të gjithë të prekurve me koronavirus dhe mjekëve që i kurojnë në këto momente të vështira si dhe autoriteteve që po përpiqen që kjo sëmundje të mos përhapet më tej”, u shpreh Ati i Shenjtë, gjatë fjalës së tij.
Përhapja e shpejtë e koronavirusit ka bërë që Italia të renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut./Opinion.al