Papa Françesku, në një intervistë për të përjavshmen katolike italiane “Credere” foli për vendimin e tij për të dalë në favor të bekimit të çifteve të të njëjtit seks nga priftërinjtë katolikë.
“Mëkatet më të rënda janë ato që janë të maskuara me një pamje më ‘engjëllore’. Askush nuk skandalizohet nëse i jap një bekim një sipërmarrësi që ndoshta shfrytëzon njerëzit, që është një mëkat shumë i rëndë. Ndërsa ata skandalizohen nëse ia jap një homoseksuali — kjo është hipokrizi,” tha ai për revistën italiane Credere.
Papa Françesku është pyetur në mënyrë të përsëritur për “Fiducia Supplicans” (“Amaneti Lutës”) mbi “kuptimin baritor të bekimeve”, i cili u botua nga Dikasteri për Doktrinën e Besimit më 18 dhjetor dhe u miratua nga Papa.
Ai lejon që priftërinjtë dhe ministrat e tjerë të ofrojnë bekime joformale, joliturgjike për çiftet homoseksuale dhe çiftet në situata martesore “të parregullta” për sa kohë që është e qartë se ata nuk po e bekojnë bashkimin e çiftit.
“Ne të gjithë duhet të respektojmë njëri-tjetrin. Të gjithë”, tha Papa.
“Unë nuk bekoj një ‘martesë homoseksuale’, unë bekoj dy njerëz që e duan njëri-tjetrin dhe gjithashtu u kërkoj atyre të luten për mua,” tha Papa Françesku.
“Gjithmonë në rrëfim, kur dalin këto situata, homoseksualë, të rimartuar, gjithmonë lutem dhe bekoj gjithmonë. Bekimi nuk duhet t’i mohohet askujt. Të gjithë, të gjithë, të gjithë”, u shpreh Papa./Opinion.al