Sonte në mbrëmje në Tiranë pritet të vijë Kristian Panuçi. Emri i trajnerit të ri u zbulua ditën e djeshme nga “Sport Ekspres”, i cili arriti të fitonte garën me Sedorfin, De Kanion dhe rivalët e tjerë, ndërsa është çështje orësh edhe zyrtarimi nga ana e FSHF-së, siç ka zbuluar presidenti Armando Duke, edhe pse nuk pranon të përmendë emrin e trajnerit të ri. “Sot zyra për shtyp do të njoftojë afatin e fundit të zyrtarizimit, apo të përfundimit të këtij procesi. Nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja, është njësoj si të kesh pesë portierë shumë të mirë dhe nuk di kë të fusësh në portë”, u shpreh Duka, në përfundim të mbledhjes me klubet për krijimin e Ligës profesioniste të futbollit.