Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi në mbledhjen e ditës së sotme që Pallati i Kongreseve do të rijetëzohet.
Kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, bëri me dije se Pallati i Kongreseve shumë shpejt do të kalojë në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo argumentoi se pavarësisht mirëmbajtjes ndër vite, “ka shfaqur shenja të qarta armotizimi”.
“Për këtë arsye, institucione të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të marrë përsipër rijetëzimin e tij”, tha ajo.
Sipas Bashkisë së Tiranës, projekti synon ta shndërrojë godinën në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore, tubime publike dhe politike.
“Do të përmirësojë infrastrukturën, do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik lokal, si dhe do të krijojë mundësi për investime, punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, kulturor e intelektual”, tha Ristani.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u miratuan edhe disa vendime të tjera me karakter social, si për shembull familjet përfituesi nga programi i bllok-ndihmës ekonomike si dhe individët që do të përfitojnë bonusin e qirasë si pasojë e projekteve infrastrukturore, përfshirë aksin Thumanë-Vorë-Kashar.
Kujtojmë se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pati debate pasi opozita kërkoi sqarimin e pozicionit juridik të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.