Pala greke ka vendosur lejimin e daljes nga Greqia për këmbësorët në pikën kufitare të Kapshticës. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit, Korçë që njofton gjithashtu se pala greke ka vendosur lejimin e kalimit edhe për mjetet e transportit të mallrave nga Greqia drejt Shqipërisë.
Por në njoftim theksohet se hyrjet për në Greqi vijojnë të mbeten të mbyllura.
“Informohemi nga Autoritetet e Policisë Greke, se në vijim të masave të marra mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej ditës së sotme dhe në vazhdim, nga ora 06:00 deri në orën 22:00, do të lejohen të dalin nga Greqia dhe të hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kësaj Pike Kalimi, vetëm këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë, kamiona mallrash. Ndërsa autobusat, taksitë, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë. Rikujtojmë qytetarët se hyrja për në shtetin grek, vijon të jetë e mbyllur”, njofton drejtoria e kufirit./Opinion.al