Pritshmëritë e biznesit për ndërmarrjen e lehtësive fiskale në fushën e turizmit janë zbehur. Ulja e TVSH-së nuk u përfshi në Paketën Fiskale 2016, ndërsa shpresohet që të realizohet brenda këtij mandati. Kalimi i taksës së fjetjes në fikse nga me përqindje, edhe pse konsiderohet si një masë pozitive për të luftuar evazionin fiskal, mendohet se do të rrisë deri në 7% barrën e rreth 80% të hoteleve
Qeveria duket se ka lënë tërësisht në hije turizmin, një sektor që kontribuon direkt dhe indirekt në rreth 17% të PBB-së. Lobimi gati pesëvjeçar nuk ka arritur të jetë i suksesshëm, edhe pse pritet “fishkëllima e fundit e arbitrit”, që në këtë rast është fundi i mandatit. Reduktimi i TVSH-së nuk është përfshirë në Paketën Fiskale të 2016-s. Në lidhje me këtë, Shoqata Shqiptare e Turizmit deklaroi se qeveria e ka bërë premtimin për rishikimin e kësaj takse, duke qenë e ndërgjegjshme për marrëveshjen me FMN-në dhe si e tillë nuk pranohet si justifikim. Drejtuesit e ATA-s thonë se nivelet e rishikuara të TVSh-së në hoteleri do të stimulonin shtrirjen e pagesave në më shumë subjekte hotelerike në vend, të cilat kryejnë aktivitet gjithëvjetor ose sezonal.
Por, edhe kalimi në taksë fikse për fjetjen në hotel ka shkaktuar një sërë diskutimesh, pasi argumentohet se kjo do të rrisë barrën fiskale në afërsisht 6-7%. (Monitor)