Aktualitet

Paketa Fiskale, 30 mln euro kosto tek biznesi dhe qytetarët


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:10 - 07/11/21 |
Opi Nion

Që në vitin e parë të zbatimit (korrik-dhjetor 2022) projekt-paketa e re fiskale 3-vjeçare synon të rrisë arkëtimet shtesë tek qytetarët në të paktën 30 milionë euro. Bujqësia, sektori më i goditur, qeveria heq përjashtimet e akcizës dhe TVSH-së. Lehtësohet taksimi i pagave, u zgjeruan kufijtë për pagat ulëta dhe të larta. Të gjitha ndryshimet

Propozimet në Paketën e re Fiskale 2022-2025 synojnë të rrisin të ardhura shtesë në rreth 3.6 miliardë lekë (30 milionë euro), të cilat më së shumti do të merren mbrapsht nga sektori i bujqësisë, i cili aktualisht vuan nga kosto të larta të prodhimit, pikërisht prej mbështetjes së ulët që merr nga qeveria.

Disa ndryshime në taksimin e pagave pritet të sjellin efekte pozitive për përfituesit. Kufiri minimal i pagës së pataksueshme u bë 40 mijë lekë, nga 30 mijë aktualisht, për pagat deri në 40 mijë lekë teksa kufiri i taksimit me 23% do të aplikohet për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 mijë lekë aktualisht. Qeveria synon që të kthejë mbrapsht tek qytetarët rreth 1.3 miliardë lekë (10 mln euro),

Por një masë e re, që synon të indeksojë nivelin e akcizës me inflacionin vit pas viti, pritet të sjellë një rritje graduale të çmimeve në të gjitha mallrat që tatohen me akcizë si karburantet, kafeja, birra dhe cigaret. Nëse niveli i inflacionit mesatar kalon këtë vit mbi 2.5%, akciza e naftës rrezikon të arrijë në 38 lekë vitin që vjen nga 37 lekë aktualisht. Gjithashtu një kalendar i ri i akcizës për cigaren do të funksionojë deri në vitin 2025 ku parashikohet rritje e përvitshme e akcizës dhe përfshirja në taksim edhe e nargjileve ose shishave.

Ndryshimet në ligjin e akcizës hoqën përjashtimet për jahtet, ndaj të cilëve do të aplikohet një taksë 65 lekë për litër karburant. Përjashtimi nga akciza u hoq edhe për serat me ngrohje me arsyetimin se fermerët nuk e kishin konsumuar këtë masë. Ndryshimet fiskale pritet të rrisin më tej kostot në bujqësi, sidomos në çmimet e plehrave bujqësore, të cilat janë shtrenjtuar me mbi 40% vitin e fundit si rrjedhojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu kufiri i importit pa TVSH të makinerive shkon në 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë.

Ndryshimet e kanë ndërlikuar më tej skemën për bujqësisë. Në vitin 2019, skema e kompensimit për prodhuesit nga 20% u bë 6%. Kjo masë uli interesin për përpunuesit, sidomos ata të qumështit që të furnizoheshin nga tregu vendas dhe shtuan importet për qumështin pluhur, të cilin fabrikat e përdorin në proceset e tyre të prodhimit.

Me paketën e re fiskale, qeveria mori  masa që e përkeqësojnë më tej klimën e biznesit në përpunimin e bulmetit. Bërja 0% e kompensimit nga 6% që është aktualisht rëndon më tej kostot. Ministria e Financave tha se do të rrisë mbështetjen me masa direkte nëpërmjet subvencioneve, por në buxhetin e vitit 2022 nuk ka të dhëna të dukshme për këtë masë.

Rritet akciza për cigaret dhe gazin, indeksim çdo vit me inflacionin

Niveli i akcizës do të rritet çdo vit, për shkak se qeveria në Paketën Fiskale 2022-2023 parshikon indeksimin e tatimit me inflacionin. Për shembull, aktualisht një litër naftë taksohet me 37 lekë. Nëse inflacioni i vitit 2021 arrin një nivel mesatar mbi 2.5%, atëherë akciza e naftës rrezikon të rritet në 38 për litër.

E njëjta formulë do të jetë e vlefshme për të gjitha mallrat që taksohen me akcizë, në vlerë fikse të tilla, si birra, kafeja, hidrokarburet etj. Duke pasur parasysh se indeksi vjetor i çmimeve në 10 vitet e fundit është rritur mesatarisht 1.5 – 2.2%, me këtë përqindje parashikohet të rriten edhe nivelet e akcizave të mallrave të akcizueshme, me përjashtim të grupit të duhaneve, për të cilat është parashikuar rritje specifike në 5 vitet e ardhshme. Vetëm nga indeksimi, të ardhurat shtesë në buxhet, në një vit pritet të jenë 500 milionë lekë.

Përveç indeksimit, qeveria do të vijojë rritjen e akcizës për cigaret dhe gjithashtu do të përfshijë në akcizë gazin për ngrohje. Gjithashtu do të hiqen përjashtimet e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale.

Ndryshimet në ligjin e akcizës pritet të sjellin në buxhetin e shtetit 2.4 miliardë lekë shtesë në të ardhura, ose rreth 19 milionë euro. Ministria e Financave i arsyetoi ndryshimet me konsolidimin e të ardhurave nga akciza, nëpërmjet përafrimit të tyre gradual me nivelin e akcizave të parashikuara në Direktivën e BE-së, si dhe moslejimin e hapësirave ligjore për shmangie nga pagesa e akcizës, duke shfrytëzuar shkallët e diferencuara të saj për përdorues të ndryshëm.

Hiqet rimbursimi për serat me ngrohje

Ndryshimet në ligjin e akcizës propozojnë heqjen e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto).

Aktualisht, ligji parashikon rimbursimin për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për industrinë dhe agroindustrinë. Konkretisht, nga të dhënat rezulton se, nga kjo skemë rimbursimi ka përfituar vetëm industria, pasi për agroindustrinë nuk ka gjetur zbatim, si rezultat i moskërkesës së subjekteve për të përfituar nga ky rimbursim, arsyetoi Ministria e Financave.

Sipas të dhënave, janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë rimbursimi për vitet 2020-2021, të cilët rezultojnë të jenë pjesë e industrisë hidrokarbure, tullave dhe asaj farmaceutike. Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është +800 milionë lekë.

Gazi për ngrohje do të taksohet 6 lekë për litër

Gazi që përdoret nga popullata do të ketë një akcizë prej 6 lekësh për litër, ndërsa deri sot, akciza paguhej vetëm për gazin që përdorej për automjetet (8 lekë për litër).

Tashmë i gjithë gazi, pavarësisht qëllimit të përdorimit, do të ketë akcizë prej 6 lekësh për litër. Aktualisht gazi për konsumatorët familjarë luhatet në një mesatare prej 85 lekësh për litër. Aktorët e tregut pohojnë se ashtu si çdo taksë tjetër dhe kjo do të transferohet në çmim.

Nga ana tjetër, ata janë dakord për këtë unifikim, pasi sipas tyre kishte abuzime të mëdha, teksa një sasi e madhe e gazit futej me qëllim përdorimi për konsum familjar dhe realisht përdorej për automjetet. Edhe pa këtë akcizë, gazi për përdorim familjar ishte shtrenjtuar, si rrjedhojë e ndryshimeve të tregjeve ndërkombëtare.

Projektligji synon që tashmë, të gjithë konsumatorët do të kenë të njëjtin nivel taksimi (si për përdorim vetjak ashtu dhe për qëllime biznesi).

Nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litër pritet që të arkëtohen rreth +375 milion lekë akcizë në vit, ose rreth 3 milionë euro, që pritet të paguhet kryesisht nga konsumatorët familjarë.

Sipas relacionit, Projektligji synon të vendosë një nivel akcize për gazin e lëngshëm pa diferencuar qëllimin e përdorimit, pasi siç është formuluar ligji, aktualisht jep mundësinë e abuzimit me sasinë e gazit që nuk paguan akcizë. Pas më shumë se një viti kontrollesh në zinxhirin e plotë të tregtimit të gazit, është konstatuar se unifikimi është e vetmja zgjidhje për uljen e evazionit në treg.

Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse, rreth 2/3 nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet, ndërkohë që vetëm 1/3 e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë.

Përvoja disavjeçare ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës. Për këtë qëllim është i domosdoshëm unifikimi i nivelit të akcizës për të gjithë përdoruesit.

Unifikimi ul nivelin e akcizës nga 8 /lekë/litër në 6 lekë/litër, duke ulur edhe koston e përdoruesve të mjeteve motorikë, ndërkohë që rritja e akcizës për përdoruesit e tjerë industrialë dhe familjarë me 6 lekë/litër vërtet do të rrisë koston e përdorimit të kësaj lënde nga familjarët.

Hiqet përjashtimi për jahtet, do të taksohen 65 lekë për litër naftë

Ministria e Financave synon shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, të cilat furnizohen me karburant në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore. Për këtë qëllim propozohet vendosja e një takse prej 65 lekë/litër mbi karburantin (e cila përfshin, akcizën (37 lekë), taksë qarkullimi (27 lekë) dhe taksë karboni (1.5 lekë) që përdoret për furnizimin e tyre në këto zona. Pasi depozitohet në zonë të lirë, karburanti shkon në këto destinacione:

Import në Republikën e Shqipërisë për të cilin paguhet taksa doganore, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, TVSH dhe;

Rieksport, ku një pjesë të konsiderueshme e zë furnizimi i mjeteve lundruese për qëllime argëtimi, për të cilin niveli i taksimit është zero, rreth 18 mijë tonë në vit.

Sipas relacionit këto mjete lundruese, si p.sh., jahtet furnizohen pa taksa, pasi konsiderohen si furnizime që ndodhin jashtë territorit të RSH., për pasojë dhe çmimi me të cilin jahtet e blejnë karburantin është shumë i ulët.

Aplikimi i taksës prej 65 lekë/litër sjell rritje të ardhurash në buxhet, duke qenë në të njëjtën kohë një taksë më e ulët se ajo e karburantit që importohet në kushte normale, për të cilin taksat në total janë rreth 90 lekë/litër taksa (TD+A+TQ+TK+TVSH).

Akciza e cigareve rritje deri më 2025, taksohen edhe nargjilet

Paketat e cigareve, por edhe të gjithë nënproduktet e tjera të duhanit do të kenë rritje të akcizës në pesë vitet e ardhshme, teksa në listën e taksimit është futur tashmë edhe shisha apo nargjileja. Në 5 vjet, akciza do të rritet gjithsej me 5 lekë në vit/paketë, ose 25 lekë për të gjithë periudhën.

Paketa fiskale e vitit 2022 parashikon ndër të tjera disa ndryshime në ligjin “Për akcizën” dhe konkretisht sa u takon produkteve të duhanit do të ndjekë politikën e viteve të fundit, ku nga 2018 e në vazhdim ka pasur rritje çdo vit. Relacioni që shoqëron draftin nënvizon se niveli aktual i akcizës së cigareve prej 6500 lekë/1000 copë, është larg nivelit minimal të parashikuar në Direktivë dhe pikërisht arritje drejt këtij niveli.

“Për këtë qëllim dhe me synimin për t’iu afruar gradualisht nivelit të Direktivës, nëpërmjet këtij projektligji është parashikuar rritja e nivelit të akcizës në 5 vitet e ardhshme me 5 lekë për paketë sipas këtij kalendari, i cili shprehet në fije jo paketë:

– 6750 lekë/1000 fije, duke filluar nga 1 janari 2022;

-7000 lekë/1000 fije, duke filluar nga 1 janari 2023;

-7250 lekë/1000 fije, duke filluar nga 1 janari 2024;

-7500 lekë/1000 fije, duke filluar nga 1 janari 2025;

-7750 lekë/1000 fije, duke filluar nga 1 janari 2026.

Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth 750 milionë lekë më shumë” thuhet në relacion.

Përfshirja e kategorisë shisha apo nargjile është sepse në tregun vendas po tregtohet gjerësisht ky produkt me një trend në rritje të bareve dhe klubeve që ofrojnë këtë lloj produkti. Financat vlerësojnë se një sasi tepër e vogël është riregjistruar, e pajisur me pullat përkatëse të akcizës dhe rrjedhimisht zhdoganuar.

“Është shtuar një kategori e re T403 “Shisha, nargjile” me kod 240311 dhe nivel akcize 6750 lekë/kg, nga 1 janari 2022 duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg, si dhe në kategorinë T401 “Nikotinë lëng” është propozuar të shtohet nënndarja me përshkrim “Qeska Nikotine – Duhan i prodhuar dhe produkte nikotine me aplikim oral pa djegie”, me nivel akcizë 6750 lekë/kg, duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg.

Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të kemi një taksim të drejtë me akcizë për produktin nargjile, i cili pas përpunimit të tij, ka në përmbajtjen e produktit 10 apo 15% “duhan”, por që aktualisht taksohet sikur e gjithë përbërja të ishte prej duhani.

Ky propozim vjen i bazuar me frymën e ligjit 61/2012, që akciza paguhet vetëm për sasinë e produktit të akcizës (për shembull birra, pijet alkoolike bazuar në përqindjen e alkoolit, duhani me ngrohje bazuar në sasinë e duhanit në produkt), si dhe për mbrojtjen e të ardhurave nga erozioni i mundshëm i konsumit drejt produkteve të reja” saktëson relacioni.

Heqja e përjashtimeve nga TVSH-ja godet bujqësinë, qeveria merr mbrapsht 20 mln euro në vit

Duke marrë në konsideratë disa nga këshillat e FMN-së, Qeveria vendosi të marrë mbrapsht disa nga përjashtimet fiskale që kishte dhënë ndaj biznesit, shumica e tyre në sektorin e bujqësisë. Nga heqja e përjashtimeve fiskale, qeveria pritet të rikthejë në buxhet gjatë një viti rreth 2.5 miliardë lekë. Sipas projektligjit të ri për ndryshimet në TVSH, bëhen ndryshimet e mëposhtme.

1- Trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave nga zero për qind që ishin aktualisht.

2- Përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

3- Zëvendësimin e normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor prej 6% në 0%.

Ministria e Financave i arsyetoi ndryshimet me faktin se subjektet që ofrojnë furnizime me inpute bujqësore nuk mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerjet brenda vendit dhe në import, të kryera në funksion të furnizimit të përjashtuar, ndryshe nga subjektet që kryejnë furnizime të tatueshme dhe mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerje.

Ministria e Financave argumentoi se heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësore do të zëvendësohet me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që është më e lehtë për t’u monitoruar dhe për t’u kontrolluar nga pikëpamja fiskale.

Me anë të këtij projektligji, propozohet që, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0% nga 6% aktualisht. Kjo, pasi edhe nga zbatimi në praktikë i deritanishëm, mendohet se nga skema e kompensimit, prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jofunksionale.

Pagat, rritet kufiri minimal dhe maksimal i taksimit

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që është sot.

Ndërkohë, për pagat deri në 50 mijë lekë, përgjysmohet tatimi për të ardhurat për fashën nga 30 deri në 50 mijë lekë, që sot është 13%.

Efekti në buxhet i këtyre ndryshimeve pritet të jetë minus 1.37 miliardë lekë (11.1 milionë euro).

Ndryshimet synojnë:

-Rritjen e pagës dysheme të patatueshme, për të ardhurat nga paga në intervalin nga 30,001 lekë/muaj deri në 40,000 lekë/muaj. Për këtë interval pagash, tatimi që do të paguhet mbi të ardhurat nga paga është 0%, duke mundësuar që çdo qytetar që siguron më pak të ardhura, të mos paguajë tatim mbi të ardhurat nga paga.

-Reduktimi i normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj. Këta tatimpagues do të paguajnë 0% tatim deri në shumën 30,000 lekë të ardhura mujore nga paga, dhe mbi këtë shumë do paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13% (pra 50%*13%). Kjo siguron që qytetarët me më pak të ardhura, të paguajnë tatim më të ulët mbi të ardhurat nga paga.

-Mbështetja e shtresës së mesme, duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht.

Sipas relacionit, ky projektligj është hartuar në kuadër të plotësimit të parashikimeve të përcaktuara në programin qeveritar, në të cilin theksohet se çdo qytetar që siguron më pak të ardhura, do të paguajë më pak tatime mbi të ardhurat nga paga, por, kush fiton më shumë, do të kontribuojë më shumë për mirëqenien e përbashkët dhe gjithashtu të mbështetet shtresa e mesme e popullsisë.

Gjithashtu në të njëjtën linjë, për lehtësimin e barrës tatimore të shtresave në nevojë të popullsisë, me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, të vijojnë të paguajnë 0% tatim deri në shumën 30,000 lekë/muaj të ardhura nga paga, dhe ndryshe nga regjimi i mëparshëm, mbi shumë 30,000 lekë/muaj të paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13% (13%*50%).

Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 58 mijë dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 11,700 lekë për tatimpagues/vit ose në total 678 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.

Në kuadër të lehtësimit të shtresës së mesme të popullsisë, në këtë projektligj është parashikuar ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj aktualisht.

Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 5,900 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.

Në total, barra tatimore ulet me 1.37 miliardë lekë në vit për subjektet që përfitojnë nga ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, e cila nga ana tjetër përkthehet në të ardhura të munguara për shtetin në po të njëjtën shumë.

Pra, aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekësh në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milion lekë. Në total, barra tatimore ulet me 1.37 miliardë lekë në vit për subjektet që përfitojnë nga ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, e cila, nga ana tjetër, përkthehet në të ardhura të munguara për shtetin në po të njëjtën shumë.

Pra, aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekësh në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milionë lekë./ Monitor

Pas