Ditën e sotme Kuvendi ka tërhequr nga votimi paketën “anti-shpifja”, e cila është pranuar nga Komisioni i Venecias për shqyrtim.
Ky lajm është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se ‘Venecia’ do të diskutojë në procedurë të përshpejtuar më 21 mars këtë paketë.
Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se një delegacion do të vijë në muajin shkurt në vendin tonë.
“Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet, më 20-21 mars.”, tha Balla.
Komisionit të Venecias i është kërkuar të vihet në lëvizje për “paketën antishpifje”, nga Komiteti i monitorimit të Asambalesë parlamentare të Këshillit të Europës
Ndërkohë, si OSBE-ja, përmes përfaqësuesit të saj për Lirinë e Medias Harlem Desir, ashtu dhe Komisioni europian, janë shprehur për nevojën e përmirësimeve të paketës që prek mediat online, dhe kërkuan që diskutimi për dekretet e presidentit Meta të shihej si një mundësi për t’i bërë këto përmirësime./ Opinion.al