Nga Dritan LACI
Sot nuk është një ditë e zakonshme. Sepse e pazakontë ka qenë edhe vetë marrëdhënia e tyre historike. Italia dhe Shqipëria do të përplasin për herë të parë kokat sonte në një ndeshje zyrtare pas plot 200 vitesh histori futbolli të mbledhura së bashku. Histori e cila nuk është vetëm e topkëmbës por edhe vetë dy popujve që në thelb kanë të njëjtën të shkuar; baulen e emigrantit. Italianët emigrant që populluan në fillim të viteve 1900 Amerikën e Veriut dhe atë Latine dhe shqiptarët me disa eksode biblike nga 1500-ta e largët deri në atë të viteve ’90 të shekullit të 20-të që tashmë përfaqësojnë disa gjenerata shqiptarësh të vjetër dhe të rinj në tokën Apenine.
Ashtu sikurse edhe të italianëve sot anasjelltas emigrantë në Shqipëri që punojnë dhe kanë krijuar familjet e tyre me vajza shqiptare në vendin që i ka mirëpritur si të ishin në atdheun e tyre. Një histori sa e të shkuarës aq edhe e të tashmes. Ku ajo pankartë e shkruar nga tifozët shqiptarë në gjuhën italiane në stadiumin “Luigi Ferraris” ne vitin 2014, me mbishkrimin “Siamo arrivati con gomone, ma adesso abbiamo la nostra squadrone” (Mbërritëm me gomone, por tani kemi skuadrën tonë) apo “Italia nell cuore, Albania amore’ (Italia në zemër, Shqipëria dashuri) përmbledh më së miri marrëdhënien e veçantë midis dy popujve.
Ku futbolli është kthyer në ndërmjetësin më të mirë për ti bërë bashkë në lidhjen e urave të komunikimit. Kjo edhe për shkak të rrethanave historike që kanë kaluar dy popujt. Ku edhe pse të ndarë në dy kampe Italia ishte për shqiptarët vizioni drejt Perëndimit. Një lloj dritare mediatike nga ku frynte pakëz liri oksidentale. Ku po me kaq pasion përjetoheshin edhe ato pak përballje sportive midis dy vendeve. Por që duke u rikthyer pas në kohë shikojmë se Itali-Shqipëri është shumë më i vjetër se ky takim historik i sotmi.
Dhe me që jemi në vigjilje të asaj që me siguri nga nesër do të njihet si “Derby i Adriatikut” është me vend të rifreskojmë disa detaje që lidhen me historinë e përbashkët të përballjes së futbollit të dy vendeve.
Një histori që nis në vitin e largët 1913, ku shumë pak e dinë që ekipi i parë shqiptar i krijuar në Shkodër mbante emrin “Juventus”, i huazuar nga ekipi i famshëm italian.
Por ku për të mbërritur në ndeshje të vërtetë do të duhet të zbresim në fushën e lojës në maj të vitit 1938, ku ekipi kampion i Shqipërisë në futboll Sportklub Tirana do të luante në fushën e Shallvareve me Barin në miqësoren e parë me një ekip italian të Serisë A, ku do të mundej me rezultatin 2-0.
Po kështu shumë syresh duhet ta kenë harruar që gurin e parë në ish-stadiumin Kombëtar më vonë me emrin “Qemal Stafa” e ka vendosur në gushtin e vitit 1939 një italian i quajtur Konte Ciano, Ministër i Jashtëm i Italisë njëkohësisht edhe dhëndëri i Benitto Musolinit. Ndërkohë që projekti u skicua si një stadium olimpik nga arkitekti Gerhardo Bosio.
Po kështu kemi harruar që portieri i finales së madhe së Ballkaniadës së vitit 1948 kundër Rumanisë ku Shqipëria u shpall Kampione e Ballkanit ishte italian ai quhej Xhakomino Pozzeli.
Portier me origjinë italiane i cili mbronte ngjyrat e “Flamurtarit” të Vlorës, i cili në vitin 1948 u riatdhesua në Itali për tu lënë në harresë gjatë periudhës së sistemit komunist.
Po kaq interesante janë edhe përplasjet zyrtare në rang klubesh. Ku ndeshja e parë madhore në kompeticionet europiane në futboll u luajt në 2 tetor të vitit 1968 midis Partizanit të Tiranës dhe Torinos së famshme në kuadër të Kupës së Kupave (kompeticion i rëndësishëm europian, tashmë i mbyllur). ku Partizani fitoi ndeshjen e parë në Tiranë me rezultatin 1-0 dhe u mund 2-0 për tu eleminuar në Torino.
Dy muaj më pas më 18 dhjetor 1968, po Partizani i Tiranës por tashmë në basketboll për meshkuj arriti një rezultat historik duke barazuar 73-73 ndaj ekipit kampion të Italisë Cantu Pallocanestro OranSoda, ku i madhi Agim Fagu shënoi 48 pikë duke merituar edhe medaljen e FIBA-s.
Ndërsa vetëm një vit më parë gjigandët e Dinamos së Tiranës për meshkuj në Volejboll kishin eleminuar kampionët e Italisë Virtus Bologna, ndeshje kjo e luajtur në kuadër të raundit të parë të Kupës së Kampionëve.
Por padyshim historike mbetet ndeshja midis kampionëve të Shqipërisë në Volejboll për Meshkuj, Dinamos së Tiranës dhe kampionëve të Italisë Ruini Firenze. Mendoni për një çast. Është 6 shtator 1972. Dinamo e trajnerit Vangjel Koja pasi ka eleminuar me radhë ekipet më të forta të Europës në volejboll, mbërrin në katër klubet më të mira të Evropës ku përballë ka kampionen e Italisë Ruini Firenze. Ndeshja luhet në Belgjikë. Dinamo mundet dhe nuk shkon dot në finalen e madhe por mbërritja deri në katër më të mirat e Evropës ishte një sukses historik.
Dy vite më pas pikërisht në vitin 1974 Partizani merr hak për Dinamon duke skualifikuar po Ruinin e Firenzes nga Kupa e Kampionëve (Me sete 3-1; 2-3)
Në sezonin 1979-1980 po Dinamo e Tiranës në volejboll për meshkuj është e vetmja skuadër në Evropë që arrin ti marrë 4 sete Clippas CUS Torinos, ekipit kampion të Italisë që në fund do të shpallej fitues i Kupës së Kampionëve.
Aq sa mediat më prestigjoze italiane janë të çmendura në shkrimet e tyre për talentin dhe pasionin që tregojnë në parket ekipet shqiptare.
Sa shumë histori gati të mbuluara nga pluhuri i kujtesës që tregojnë se midis dy popujve përveç inateve të mbartura historike është luajtur edhe sport, madje cilësor.
Ku për tu kthyer te fubolli meriton të kujtohet edhe ajo ecuri gati e jashtëzakonshme e Shpresës së Shqipërisë në vitin 1984 në Kampionatin Evropian ku pasi eleminoi edhe Gjermaninë do të duhej Italia për ti ndalur hovin drejt katër më të mirave të Evropës. Me një brez lojtarësh si Demollari, Minga, Josa e me shokë që do të përbënin një brez të talentuar futbollistësh për vitet ‘80.
Por ku ajo që mbetet historia më interesante midis dy popujve në sport është kontributi që futbollistët shqiptarë kanë dhënë në futbollin e madh Italian.
Ku si fillim meriton të kujtojmë të madhin Riza Lushta. Që nga fusha e Shallvareve ku luante me Tiranën në vitet ’40 të shekullit të kaluar përfundoi të Bari në Serinë A italiane dhe më pas te Juventusi ku shënoi 56 gola në 95 ndeshje.
Naim Kryeziu që luajti me Romën dhe Napolin po në vitet ‘40-’50 të shekullit të kaluar duke u shpallur edhe kampion i Italisë.
Trajneri i madhi Loro Boriçi që luajti me Lazion dhe Sllave Llambi me Bolonjën.
Për të mbërritur deri në ditët e sotme me emra si Igli Tare lojtar dhe drejtues te Lazio, Erion Bogdani ish-sulmuesi i Chievo Veronas, Sienas, Reginas në Serinë A, Lorik Cana e me radhë deri te plejada e sotme Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Migjen Basha, Thomas Strakosha, Arlind Ajeti etj etj.
Por që do të ishte një puzzle i pakompletuar pa italianët që sot punojnë në klubet shqiptare të futbollit duke sjellë eksperiencën e tyre sportive. Ku ai që padyshim do të mbahet mend gjatë është Giani De Biasi, trajneri Italian që ka hyrë në histori si i pari që drejtoi Kombëtaren Shqiptare drejt përfaqësimit në një kompeticion madhor si Kampionati Evropian i Futbollit Francë 2016.
Sa shumë histori për të treguar për dy popuj sportadashës ku paçka se rrjedha e historisë i ka ndarë dhe bashkuar disa herë në rrugën e tyre, nuk e kanë fshehur afeksionin e ndërsjelltë.
Si në atë “Estate italiana” të Botërorit 1990 zhvilluar në Itali, magjia e të cilit do të ishte pikënisja pse jo e një rrugëtimi të shqiptarëve drejt një bote të lirë. Ku pak muaj më pas Italia do të kthehej në atdheun e tyre të dytë pas atij eksodi biblik të marsit 1991.
Ndaj edhe sot Itali-Shqipëri duhet të shikohet më shumë si një festë futbolli. Edhe pse brenda ka një garë që duhet fituar. Si një himn për të gjithë ata njerëz që rendën të lirë për të mbërritur në këtë ditë pa u dashur të sajojnë kanaçe apo antena për të parë Kombëtaren e tyre teksa luan në Itali. Ndaj sot fitoftë më i miri edhe pse në zemër dikush ka Italinë, por dashuri ka Shqipërinë./ Opinion.al