Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të martën me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në lidhje me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, njoftoi Presidenca.
“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që “kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri”, sipas njoftimit.
“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”, tha Presidenca.
Osmani i filloi në fund të muajit të kaluar konsultimet me partitë politike në vend për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.
Pas atij takimi më 31 korrik – në të cilin nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe – Osmani kishte thënë se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje./REL