Mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Opinion” me drejtues Blendi Fevziun u trajtua tema e prostitucionit.
Gjatë emisionit u fol për skandalin e përgjimeve të publikuara ditët e fundit lidhur me këtë fenomen që kanë përfshirë personazhe televizive punonjës policie etj, ku deri tani janë arrestuar një sërë personash.
Në studio për të folur rreth temës ishin të ftuar pastori Paulin Vilajeti, aktivistja Rezarta Çaushaj, gazetari Agim Baçi, aktivistja për të Drejtat e Njeriut Delina Fico, skenaristi Alion Çaçi dhe gazetarja Doriana Bezat. Ndërsa në lidhje të drejtpërdrejtë ishte avokatja Enida Bozheku.
Në pjesën e tretë të emisionit u trajtua përmes një përmbledhje vijimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit. Gjatë ditës që lamë pas Irani ka goditur me dy raketa në një zonë të Irakut në të cilat ishin të vendosura trupat amerikane dhe të vendeve aleate. /Opinion.al/