President i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke ka vlerësuar progresin e Shqipërisë për hapjen e grupkapitujve për integrimin në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Klan News me gazetarin Vladimir Lame, Ropke ka theksuar se Shqipëria është tashmë në ballë të këtij procesi.
Oliver Ropke: Ballkani Perëndimor është një rajon kyç për Bashkimin Evropian. Unë mendoj se këto nuk janë fjalë boshe. Në kontekstin e ri gjeopolitik, ne po përpiqemi që të integrojmë sa më shpejt shtetet ballkanike në familjen evropiane. Kjo është thelbësore për ne për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Besoj se është në interesin tonë të përbashkët që të ecim përpara me axhendën e integrimit. Në këtë rajon kemi shtete me progres të ndryshëm në këtë sa i përket integrimit. Shqipëria është tashmë në ballë të këtij procesi.
Gazetari Vladimir Lame: A është qeveria shqiptare e angazhuar për këtë proces?
Oliver Ropke: Kam konstatuar se kryeministri Rama është mjaft i përkushtuar për të bashkëpunuar me BE-në dhe në veçanti me komitetin ekonomik dhe social. Vitin e kaluar ne vendosëm të përfshinim Shqipërinë në këtë organizatë të BE-së. Ky vendim është jo vetëm teknik, por edhe shprehje e vullnetit politik për të nxitur integrimin gradual jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Vladimir Lame: A mendoni se viti 2030 është një objektiv realist për integrimin e plotë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit?
Oliver Ropke: Siç thashë edhe më parë, këto shtete ballkanike janë në faza të ndryshme të proçesit të integrimit. Ne duhet të vlerësojmë progresin e bërë me reformat nga secili shtet kandidat për anëtarësim në BE. Mund të ritheksoj se Shqipëria është në pararojë të këtij proçesi.
Dua që ta inkurajoj qeverinë shqiptare që të vazhdojë të punojë me axhendën e saj ambicioze të reformave. Nuk mund të parashikoj një datë konkrete për anëtarësim, pasi ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritat individuale të secilit shtet, kjo është e qartë.
Nga ana tjetër, në këtë moment ka shumë mundësi që duke punuar fort për hapjen e grup kapitujve, do të arrijmë që të mbyllim negociatat në vitin 2027 në mënyrë që të finalizojmë anëtarësimin e plotë në vitin 2030. Këtë nuk mund t’ju premtoj, por e konsideroj si një objektiv ambicioz, ndaj mendoj se qeveria shqiptare ka të drejtë të kërkojë të arrijë standarde kaq të larta.