Stefan Hanze, trajneri i kombëtares gjermane të kanoes, pas tri ditësh agoni ka ndërruar jetë sot paradite në një spital të Rio de Zhaneiros. Ai u përfshi në një aksident me makinë tri ditë më parë, teksa kthehej për në Fshatin Olimpik bashkë me fizioterapistin e skuadrës, Christian Kading. Makina ku udhëtonin dy përfaqësuesit e delegacionit olimpik gjerman ecte me shpejtësi të madhe, duke dalë jashtë rruge, në zonën e Barra, duke u përplasur me muret mbrojtëse.
Hanze qëndroi tri ditë në gjendje kome në spital, por trajneri 35-vjeçar nuk ia doli dot mbanë. Ai është fitues i medaljes së argjendit në Olimpiadën e vitit 2004 në Athinë. “Kjo është një ditë zie për ne, i gjithë sporti gjerman është në zi”, tha Alfons Hoermann, presidenti i Komitetit Olimpik Gjerman, që ka vendosur të ulë flamujt në gjysmë shtize. Një tjetër aksident me makinë në të njëjtën zonë ka përfshirë sot edhe disa gazetarë franceze, që për momentin janë jashtë rrezikut për jetën.