Bota

OKB: Princi saudit duhet të hetohet për rastin Khashoggi


               Publikuar në : 14:04 - 19/06/19 |
geliano fataj

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, ka thënë se ekzistojnë të dhëna tw besueshme se princi saudit, Mohammed bin Salman dhe zyrtarë tjerë të lartë, janë individualisht përgjegjës për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi.

Callamard ka thënë se të dhënat duhet hetuar ende nga një trup i pavarur ndërkombëtar.

Khashoggi është vrarë brenda konsullatës saudite në Stamboll nga agjentë sauditë. Autoritetet e Arabisë Saudite kanë thënë në anën tjetër se agjentët nuk kanë vepruar nën urdhrat e princit saudit.

Mbretëria saudite është duke gjykuar 11 persona të paidentifikuar për vrasjen e Khashoggit dhe është duke kërkuar dënim me vdekje për pesë prej tyre.

Mirëpo sipas Callamard, procesi gjyqësor ka dështuar që të përmbushë procedurat dhe standardet ndërkombëtare, prandaj ka kërkuar pezullimin e këtij procesi.

Khashoggi, 58-vjeçar, kolumnist për të përditshmen, The Washington Post, dhe kritik i zëshëm i princit Mohammed, është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite më 2 tetor të vitit të kaluar, për të siguruar dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij, Hatice Cengiz.

Hetuesit kanë thënë se Khashoggit i është injektuar një sasi e madhe e drogës, që ka rezultuar me mbidozë. Më pas pjesëtarët e ambasadës është thënë t’i kenë coptuar trupin dhe e kanë dërguar në një vend të panjohur jashtë konsullatës./ Opinion.al

Pas