Presidenti Barack Obama e konsideron mungesën e një plani për Libinë, pas hedhjes nga pushteti të diktatorit Moammar Gadhafi, në 2011 – ën, si gabimin më të madh të presidencës së tij.
“Mungesa e një plani për ditën që pasoi, pas ndërhyrjes në Libi, që mendoj se ishte gjëja e duhur për të bërë, është me shumë gjasa një ndër gabimet më të mëdha”, u shpreh Obama, në një intervistë për “Fox News”
Gjatë javëve të fundit, ai ka folur shpesh për Libinë dhe ndërhyrjen e NATO –s, që çoi në vdekjen e Gadhafi –t, në Tetor të atij viti.
Ndonëse beson se ndërhyrja shkoi mirë, Obama tha se sot Libia mbetet një “lëmsh”.
Edhe në Shtator, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, presidenti amerikan e kritikoi ndërhyrjen në Libi duke thënë se duhet të ishte bërë më shumë për të mbushur vakumin e mbetur prapa.