Sonte në emisionin “Stop” u soll shqetësimi i një familjeje nga Shkodra. Një nxënëse ekselente, Evina Komi, është përzgjedhur nga Ministria e Arsimit, për një bursë në Universitetin Teknik të Stambollit.
Në 8 Shtator 2020, Klaudio Agolli, punonjës në këtë ministri, pasi i ka shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë, i ka kërkuar që brenda ditës së nesërme të konfirmonte, nëse do ta pranonte këtë bursë.
Të nesërmen paradite Evina ka pranuar bursën e studimit për në Turqi. Por zyrtari i Ministrisë së Arsimit, i thotë, se vendet ishin zënë. Babai i vajzës denoncon rastin, duke kërkuar drejtësi.
“Vajzës sime i ka ardhur një bursë në Turqi. Më 8 Shtator, vajzës i vjen një email, “jeni fituese e një burse në Universitetin teknik të Stambollit”, dhe i thonë ke 24 orë kohë për të kthyer një përgjigje ose negative ose pozitive. U konsultuam, vajza ishte për të shkuar në Stamboll. Ditën e nesërme 9 Shtator vajza i jep një konfirmim që “OK jam e interesuar për bursën”. Klaudio Agolli i kthen një përgjigje në një mesazh që do të flasim më vonë. Pritëm se po merr, nuk mori. Si përfundim e morëm ne nga ora 15:15 dhe si për çudi Klaudio i thotë që janë zënë vendet. Klaudio Agolli është një specialist në Ministrinë e Arsimit, të paktën kështu është e shkruar në email. Është edhe në email me e konfirmuar ose po ose jo. Ne i kemi çuar mesazh që jemi për atë shkollë. Ditën e enjte më 10 Shtator jam përballur me Klaudio Agollin dhe të njëjtat fjalë i kam thënë si po ju them ju. I thashë më keni ofruar një bursë, pra vajza thuri një ëndërr, kur ti ia këpute as 24 orë. Më mirë mos ta dinte atë bursë.”
Vajza nuk ka marrë asnjë përgjigje pse i është refuzuar bursa.
“Vajza pasi ramë dakord si familje për të vazhduar universitetin në Stamboll edhe e la degën këtu të mjekësisë. ajo hasi një zhgënjim total, bile në këtë moshë është e paimagjinueshme të hahesh me një realitet të pakëndshëm ditën për diell. Unë jam duke e përjetuar jo mirë, më dhimbset mundi i vajzës time. Edhe ajo fundi i fundit nuk po e përjeton mirë sepse po e sheh zhgënjimin. Unë do të luftoj prandaj kam ardhur te emisioni juaj, për të më ndihmuar të zgjidh këtë hall që kam”, tha i ati.
Në Ministrinë e Arsimit pas shumë përpjekjeve, thonë, se para Evinës janë përgjigjur konkurrentët e tjerë, që kanë zënë vendin.
Recepsionistja: Klaudio nuk është në ministri, por më thanë, që ju duhet t’i drejtoheni ministrisë, mund të bësh edhe një kërkesë këtu..!
Gazetari: Ku e ka zyrën Klaudio?
Recepsionistja: Të lutem, mund të bëni një kërkesë, ju lutem! Nuk mund të hysh kështu…!
Gazetari: Mos më kap të lutem…! Më nxirr të lutem…! Ku është Klaudio?
Punonjësi: Klaudio nuk është, po të thotë. Prit atje!
Gazetari: Mos prek me dorë! E para, dhe e dyta më nxirr tani…!
Punonjësi: Nuk mund të futesh dot! Unë për atë punë jam këtu.
Gazetari: Po si? Atij (babait) po i digjet bursa e vajzës zotëri. Nuk pres dot asnjë moment! Më nxirrni dikë, një specialist tani, urgjent, tani! Dy sekonda! Me mirëkuptim, tani, një specialist të më japë përgjigje, tani!
Gazetari: “ Lidhur me pranimin, ose jo të bursës, ju lutem kthim përgjigje brenda ditës së nesërme”! Kur u kthye përgjigja?
Prindi: Të nesërmen në 11.
Gazetari: Të nesërmen. A jemi në rregull me …? Tani, kush mban përgjegjësi nga MAS këtu, lidhur me këtë problem? Çfarë zgjidhje do t’i jepet kësaj studenteje?
Punonjësi: Do t’i japim përgjigje me shkrim. U mundova, t’ju sqaroja…
Gazetari: Më fal, kush e ka zënë vendin e studentes Evina Komi?
Punonjësi: Ja, një sekondë!
Gazetari: Mund të flas me Klaudion?
Gazetari: Se ju nuk u prezantuat as me emër.
Punonjësi: Do më presësh pak? Të shoh pak listën, se e sata është renditur vajza dhe të them unë pastaj.
Gazetari: Më fal, do presim edhe shumë?
Punonjësi: Një sekondë, pra!
Gazetari: Po se po mbaron edhe orari zyrtar juaji për të ikur, kështu që çfarë mbeti pastaj? Pse nuk u plotësuan njëherë dhjetë bursat, dhjetë vendet, pastaj nëse do të kishte ndonjë refuzim të lajmërohej vajza?
Punonjësi: Të lutem, nuk jam i autorizuar të flas!
Gazetari: Kur nuk je, pse më del këtu dhe më jep…? Ku është Klaudio? Ku është Agolli, të lutem?
Punonjësi: Do ju kthej përgjigje me shkrim.
Gazetari: Dua nëpunësin Klaudio Agolli! (mbyll derën me çelës) Dëgjo, nuk ke pse e mbyll derën! Zotëri, jepni një përgjigje, kush e ka zënë vendin e studentes? Zotëri! Keni mbyllur derën. Kështu ua mbyllni të gjithëve? Ky është sistemi, që ka lënë ish-ministrja Besa Shahini? Keni shkaktuar një dëm psikologjik dhe jo vetëm, për këtë studente, por edhe për familjen e saj. Mund ta di, se pse e mbyllët derën, të lutem?
Punonjësi: Tani po e tepron! Nuk e ke Klaudion lart, o ti!
Gazetari: Të lutem më nxirr një specialist, kush mund të përgjigjet! Ti je Klaudio? (del një punonjës tjetër)
Punonjësi: Nuk jam unë Klaudio.
Gazetari: Të lutem! Kolegu juaj ka mbyllur derën. Kërkojmë një përgjigje. Nuk po tallemi këtu, zotëri!
Punonjësi: Në këtë lloj forme, nuk mund të futeni.
Gazetari: Cilës formë? Formës, që mbyllni dyert?
Punonjësi: Nuk e di, se çfarë problemi ka. Tani të lutem! A do përgjigje zotëri? Do ta kthej përgjigjen sot. Sot do ta shohë kush i ka zënë vendin. Nuk e di, se për çfarë vendi bëhet fjalë. Do të kthejmë sot përgjigje me email.
Gazetari: Po ti nuk je i fushës, zotëri. A je i fushës? A je specialisti?
Punonjësi: Jo, nuk jam i fushës, po…
Gazetari: Po ç’punë ke më këtë? Më jep specialistin, zotëri! Edhe këtu do të na ndiqni?
Menjëherë pas interesimit të “Stop” tek MAS erdhi një përgjigje me email. Vajzës i shpjegohet që procedura ka qenë e tillë ku janë njoftuar për t’u kualifikuar për procedurën e përzgjedhjes për bursën në shtetin turk 10 nxënës ekselentë të parë 10 të dytët, 10 të tretët dhe 10 të katërt e kështu me radhë.
Ndodhemi përballë faktit që nxënësi me numër rendor 50 është përgjigjur më përpara vajzës me numrin rendor 54. Ajo që kuptohet është se kush do të përgjigjej i pari do të ishte pjesë e listës së nxënësve ekselentë që do të kishte të drejtën për të studiuar në shtetin turk.
Pse nuk iu është bërë me dijë këtyre nxënësve mënyra se si do të funksiononte kjo lloj procedure?
Eksperti i arsimit, Albano Zhapaj, shpjegon, se në rastin kur përgjigja është dhënë brenda afatit, do të thotë, se dikush tjetër e ka marrë atë bursë me forma korruptive.
“Ministria ka detyrimin që t’i thotë më je përgjigjur jashtë afateve që kam caktuar prandaj ke humbur është shumë e thjeshtë. Por në rast se fëmija është përgjigjur brenda afatit që këta kanë caktuar dhe pastaj nuk e gjejnë emrin brenda listave, atëherë do të thotë që stafi i ministrisë e ka problemin brenda vetes, do të thotë që këta kanë caktuar ndonjë tjetër në ato forma që tashmë i dinë të gjithë shqiptarët”, tha ai.
Ndërsa psikologia Brunilda Laboviti shprehet, se për nxënësen ekselente, kjo është një ngjarje zhgënjyese, që mund të çojë deri në traumë.
“Kjo është një ngjarje shumë e hidhur në përjetimin e një adoleshenteje. Është një ngjarje që dashur pa dashur është zhgënjyese. Në moment të parë ti merr një lajm të mirë që do ndjekësh një universitet të huaj aty ku ke investuar ndërkohë pas disa orësh kupton që kjo gjë mund të ndodhë sepse nuk ka një arsye apo argument. Këtu lind përjetimi më shumë i traumës. Trauma është edhe për familjarët”, tha ajo. / Burimi Tv Klan