Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka paralajmëruar se policia do të përgjigjet në mënyrë proporcionale, ndaj atyre që ai i quajti dhunues.
“Askush nuk do të tolerohet”, tha ministri Lleshaj, duke paralajmëruar se do të shkrijë disa struktura të policisë bashkiake.
“Policia e Shtetit, po sulmohet në mënyrë të organizuar po përgjigjet dhe do të përgjigjet në mënyrë proporcionale dhe me vendosmëri deri në fund. Janë kryesisht punonjës bashkisë, punonjës të policive bashkiake po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për top nga drejtuesit e tyre”, tha Lleshaj duke i cilësuar si grupe paramilitare.
“Mandatet për të qeverisur bashkitë e vendit i jep vetëm populli i Shqipërisë. Ata nuk mund të marrin peng asgjë”, theksoi më tej Lleshaj.
Reagimi i ministrit të Brendshëm erdhi pasi mbështetës të Partisë Demokratike dhe uniformat blu u përplasën në disa KZAZ. Ditën e sotme, në bashkitë Kamëz, Burrel, Kukës, Skrapar, Pogradec, Bilisht e Devoll konfrontimet kanë qenë të forta, duke shkaktuar dhe të plagosur. /Opinion.al