Te Fundit

“Nuk u përgjigjën”/ MEPJ-ambasadës ruse:Nota erdhi më 23 gusht, njoftuam autoritetet



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:25 - 25/08/22 |
Opi Nion

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me pretendimin e ambasadës ruse për mosvënien në dijeni të kësaj të fundit për dy shtetasit rusë të kapur pranë uzinës së Gramshit.

Në një reagim, Ministria e Jashtme informon se të gjitha veprimet lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, ku Shqipëria është palë.

MEPJ thotë se nota verbale e ambasadës së Rusisë është hartuar më datë 22 Gusht dhe ka hyrë në Ministri më 23 Gusht.

Pas marrjes së kësaj note verbale, Ministria e Jashtme i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve përkatëse shqiptare që janë të përfshira në ndalimin e rusëve që u kapën në uzinën ushtarake të Gramshit.

 “Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh  nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë. MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 Gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Ministria sqaron gjithashtu se autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusinë, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.

“Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të vendosë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 Gusht 2022. Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre. Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, njofton Ministria jonë e Jashtme.

Ambasada e Rusisë në Tiranë disa ditë më parë deklaroi për një media ruse se kishte dërguar notë verbale dhe kërkesë për informacion prej 4 ditësh pranë Ministrisë së Jashtme lidhur me rusët e arrestuar të dyshuar për spiunazh.

 

Pas