Moti i keq ka përfshirë vendin, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore.
Policia e Shtetit njofton se prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente janë ndëshkuar në të gjithë vendin, 87 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur zinxhirë për të qarkulluar, të cilët për pasojë kanë sjellë vonesa në qarkullimin normal të mjeteve të tjera.
Po ashtu, në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative edhe 49 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur gomat dimërore.
Po gjatë monitorimit të qarkullimit janë evidentuar dhe ndëshkuar 156 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 121 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 89 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe 56 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Ndërsa nga Policia Rrugore e Tiranës, si rezultat i mbajtjes nën kontroll të rrugëve urbane e interurbane, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje rrugore, pasi një drejtues mjeti udhëtonte në sens të kundërt në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan, drejtimi i lëvizjes është Tiranë Elbasan, ndërsa drejtuesi i mjetit lëvizte po në këtë kah të lëvizjes, por në sens të kundërt, nga tuneli i Krrabës për në TEG./ Opinion.al