Kryesore

“Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira”, Kryemadhi flet pas takimit


               Publikuar në : 19:22 - 21/10/19 |
Al Do

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje me aleatët e tij. Prej orës 17:00, në selinë blu u diskutua mbi dy tema kryesore, aksioni opozitar pas vendimit të Këshillit Europian për të mos hapur negociatat dhe një draft që opozita po përgatit në lidhje me Reformën Zgjedhore.

Në përfundim të takimit, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi konfirmoi se blloku opozitar është në një mendim unanim sa i përket zgjidhjes së krizës.

Ajo theksoi se axhenda e qartë për klasën politike shqiptare janë 9 kushtet e Bundestagut. Sipas saj kryeministri Rama është shkaktar i mos çeljes së negociatave por ajo shtoi gjithashtu se duhet bërë reforma zgjedhore dhe më pas të zgjidhet kriza politike.

“Vendimi i BE ishte tepër zhgënjyes për shqiptarët dhe partnerët tanë strategjikë. SHBA-të kanë qenë partnerët tanë strategjikë që kanë qenë pro nesh në momentet më të vështira dhe të rënda me ne. Nëntë kushtet e Bundestagut janë agjenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare. Shkaktar i kësaj situate është kryeministri Rama, që duhet vendosur para përgjegjësisë.

Kushtet e Bundestagut janë të qarta. Maqedonia e Veriut u ndëshkua për shkak të mos-ecjes së Shqipërisë në reforma. BE ka thënë se në Shqipëri ka krizë politike. Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira. Ne si opozitë jemi tepër të qartë se e ardhmja e Shqipërisë janë BE dhe SHBA. Çdo tentativë për të kërcënuar partnerët janë politika të dështuara. Shqiptarët janë ata që duhet të vendosin. Duhet të ikim nga kjo situatë e errët. Duhet bërë reforma zgjedhore dhe të zgjidhet kriza politike, po ashtu. Fronti Opozitar dëshiron të zgjidhet kriza politike” tha Kryemadhi.

Ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha reagoi përmes Twitterit duke thënë se opozita mbështet qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë por sipas tij ata gjithashtu refuzojnë kryeministrin Rama.

“Ne mbështesim 100% qëndrimet e liderëve të BE. Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Shqipëria meriton më të mirën. Për fat të keq ka një njeri që e pengon këtë rrugë. Ata duan ta pranojnë Shqipërinë, por në mënyrë të përsëritur ata refuzojnë Ramën” shkruan Basha. /Opinion.al

Pas