Aktualitet

“Nuk justifikon pasurinë”, kërkohet shkarkimi i anëtarit të KLP-së


               Publikuar në : 12:47 - 18/02/20 |
Al Do

Komisioneri publik gjatë seancës se vlerësimit të anëtarit të KLP-së, Besnik Cani, ka kërkuar shkarkimin e tij.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ka marrë në vlerësim dosjen e Canit i cili u konfirmua në detyrë nga KPK por më pas vendimi u ankimua nga Komisioneri publik. Ky i fundit në seancën e sotme është shprehur se anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjendet në kushte të pamjaftueshme për të kryer disa blerje.

Subjekti ka deklarim të pasaktë, mungesë të burimeve të ligjshme. Në lidhje me pasurinë, truall 600 m2 në Paskuqan, nuk provohet burimi i ligjshëm i saj. Lidhur me pasuritë autoveturë dhe garazh, subjekti ka deklarim të pasaktë ndër vite dhe mungesë të dhurimeve të ligjshme për blerjen e këtyre pasurive. Në ato vite ka një bilanc negativ prej gati 500 mijë lekë. Për periudhën 2010-15 subjekti ka një bilanc negativ 2 milionë lekë mes të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve”, tha komisioneri publik.

Ai pati kritika dhe për aftësitë profesionale të Canit, pasi sipas tij “subjekti ndodhet ne kushtet ku me veprimet dhe mosveprimet e tij, marrëdhënies së tij me një kompani tregtare, si dhe përfitimi i statusit të të pastrehut kur kryente detyrën e titullarit të Prokurorisë Fier, kushte që bien ndesh me detyrën e magjistratit”.

Nga ana e tij, Cani u mbrojt duke thënë se banesa e tij është ndërtuar me kontribut familjar dhe se niveli i tij i jetesës është normal për një familje me dy të punësuar. Ai tha gjithashtu se nuk mund të mohohet lufta që ka bërë kundër gjakmarrjes gjatë kohës që ka drejtuar Prokurorinë e Shkodrës.

Reforma u pa si një dritë të tunelit nga populli shqiptar dhe unë. Kjo reformë u prit me entuziazëm, megjithatë sot përballem me ju për debatet mbi dokumentacionin. Shpresa ime në këtë proces është një analizë profesionale. Në 26 vite punë të miat dhe bashkëshortes, kemi si pasuri një apartament në Laprakë, një autoveturë dhe një vend parkimi, një sipërfaqe toke në Paskuqan, që po e paguaj me kredi. Ish-banesa aty është ndërtuar me kontribut familjar. Pasuria dhe niveli i jetesës është krejtësisht normal për një familje me dy të punësuar”, tha ai. /Opinion.al

Pas