Kina ka shkarkuar Qin Gang nga posti i ministrit të Jashtëm më pak se shtatë muaj pasi ai u emërua në këtë post.
Gang ishte parë si bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Xi Jinping e ndërsa tani posti i tij do të merret nga shefi i Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste, Wang Yi.
Zhdukja e zgjatur e ish-ministrit nga opinioni publik, dhe heshtja zyrtare mbi të, ka nxitur spekulime në Kinë. Për herë të fundit, 57-vjeçari është parë më 25 qershor ndërsa për largimin e tij nuk u dha asnjë arsye.
Qin Gang u emërua nga lideri i Kinës në postin e tij dhjetorin e kaluar. Largimi i tij i jep fund konfuzionit që ka zgjatur prej javësh, por lë shumë pyetje pa përgjigje.
“Legjislatura më e lartë e Kinës votoi për emërimin e Wang Yi si ministër të Jashtëm”, tha agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
“Qin Gang u hoq nga posti i ministrit të Jashtëm”.
Ligjvënësit votuan gjithashtu për të zëvendësuar shefin e Bankës Qendrore të Kinës, ekonomisti Pan Gongsheng do të zëvendësojë guvernatorin në largim Yi Gang.