Pak ditë më parë presidenti i Frnacës Emmanuel Macron është shprehur se pa kaluar reformat e thella në Bashkimin Europian, ai do të pengonte çdo përpjekje të zgjerimit të bllokut.
Por deklarata e tij është kundërshtuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila u shpreh se BE nuk duhet të heqë dorë nga negociatat e anëtarësimit me vendet aspirante.
“Ndaj të njëjtin këndvështrim me presidentin Macron se BE duhet të përmirësojë mekanizmat e tij, por nuk e shoh këtë si një argument për të braktisur negociatat e anëtarësimit”, deklaroi kancelarja Angela Merkel nga samiti i Poznanit në Poloni.
Kujtojmë që vendet anëtare të BE-së nuk ranë dakord për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Lidhur me këtë çështje Merkel është shprehur; “Pres me optimizëm vendimin e vjeshtës”.
Në të njëjtën linjë me kancelarin gjermane ka qenë dhe komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn, i cili është shprehur në mbështetje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Këtu është në lojë besueshmëria e BE-së. Nuk duhet të krijojmë vakume në rajon, që mund të mbushen nga konkurrentët tanë si Rusia, Turqia dhe Kina”, tha Hahn./ Opinion.al E.Xh.