Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në pyetje deputetët e Partisë Demokratike të kallëzuar nga policia e shtetit për protestën tek Liqeni Artificial më 29 mars.
Katër deputetët Flamur Noka, Genc Pollo, Asllan Dogjani e Arben Ristani kanë dhënë deklarime në Prokurorinë e Përgjithshme, raporton panorama.
Ata kanë dhënë deklarime si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit në lidhje me kallëzimin e bërë prej policisë së shtetit për akuzat “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Prokuroria ka kërkuar edhe dëshminë e Gent Strazimirit por ai nuk është paraqitur në momentin e parë me argumentin se ka pasur angazhime të tjera. thirrja për Strazimirin është përsëritur ndërsa kolegët e tij kanë thënë se protesta ka qenë Brenda rregullave të rendit dhe se nuk kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë parë që Strazimiri të kenë pasur armë zjarri.