Deputeti Flamur Noka ka folur për procedurë lidhur me shkresën që Partia Demokratike ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për rikonfigurimin e grupit parlamentarë të kësaj partie pas përjashtimit të disave prej deputetëve.
Noka u shpreh se ai dokument është i paligjshëm dhe se askush nuk mund t’i përjashtojë nga Grupi Parlamentar i PD. Ndër të tjera Noka u shpreh se Komisioni i Rithemelimit është organi i vetëm vendimmarrës i partisë.
“E kuptojmë që ju jeni e pafajshme në këtë gjë pasi keni marrë urdhër nga shoqata e bunkerëve e bravave, e kuptoj se ju duhet një shoqatë e tillë sepse në këtë mënyrë ju mendoni se do ta fusni në thes opozitës dhe do të shuani pluralizmin. Deputetët nuk janë peng pavarësisht se ju keni marrë kreun e kësaj shoqate peng. Ju bëj me dije se me shkresën drejtuar juve, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, si organ i vetëm nga Kuvendi Kombëtar ka marrë vendime. Është shkarkuar çdo institucion e drejtues të PD-së. Deri më 22 mars PD përfaqësohet vetëm nga ky Komision. Kuvendi mori vendimin edhe për një referendum. Ju ka ardhur shkresa me firmë dhe me vulë. Ju komunikoj se ka vetëm një organ statuor në PD që është Komisioni i Rithemelimit”-tha Noka./Opinion.al