Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka uruar novelistin austriak Peter Handke për Çmimin Nobel dhe ka deklaruar se për të është njësoj si ta ketë fituar “njëri prej nesh”.
Ditën e djeshme Handkes iu dorëzua Çmimi Nobel, e ndërsa disa vende të Ballkanit reaguan ashpër për këtë fakt duke e bojkotuar ceremoninë, Vuçiç tha se Handke është një mik i vërtetë i Serbisë dhe se vendi i tij e konsideron sikur e ka fituar një qytetar i saj këtë çmim të rëndësishëm.
“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të Nobelit”, tha Vuçiç
Nobeli i Handkes nxiti kritika të shumta, sidomos në rajonin e Ballkanit pasi ai njihej për lidhjet e afërta me ish-presidentin Slobodan Milosheviç.
Ceremonia e dhënies së çmimit Nobel u bojkotua nga ambasadorët e Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. /Opinion.al