Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Njihuni me shtetin që po gjurmon qytetarët e tij me teknologji të avancuar

2025/10/08 at 9:36 AM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
Njihuni me shtetin që po gjurmon qytetarët e tij me teknologji të avancuar

Teksa Kazakistani po vazhdon me planet ambicioze për të ndërtuar një rrjet modern të vëzhgimit dhe për të përmirësuar infrastrukturën e tij digjitale, aktivisti Sanzhar Boqaev, e ka përjetuar vetë se çfarë do të thotë një sistem i tillë për njerëz si ai.


Pasi arriti në aeroportin e Almatit në qershor, Boqaev – ish-zyrtar kazak që është shndërruar në një bloger politik – u ndalua nga policia kur u identifikua përmes një sistemi vendës të njohjes së fytyrës, që funksionon me inteligjencës artificiale të quajtur TargetEYE, dhe u regjistrua në bazën e të dhënave të sistemit si “aktivist civil”.

Boqaev e regjistroi me telefonin e tij një pjesë të ndërveprimit në aeroport dhe tha se një oficer madje i tregoi profilin e tij në bazën e të dhënave, që përfshinte një krahasim biometrik të të dhënave të tij personale. Më pas, ai tha se iu kërkua që të shkonte në një stacion policor, përcjell A2.

Pas një ndalimi të shkurtër në aeroport ai u lidhura dhe Boqaev më vonë publikoi këtë video online, duke deklaruar se Qeveria po përdorte teknologji të avancuara për të gjurmuar aktivistët.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha se Boqaev u shtua gabimisht në bazën e të dhënave për shkak të ngjashmërisë së tij me një person tjetër. Ministri i Brendshëm, Yerzhan Sadenov, tha më pas se Qeveria nuk po krijonte një bazë të dhënash për aktivistët dhe se “teknologjia po ashtu mund të gabojë”.

“Mund ta shihni në video. Shfaq fotografinë time, emrin, emrin e babait dhe jam shënuar si ‘aktivist civil’. Kush tjetër mund të jetë?”, tha Boqaev për Radion Evropa e Lirë. “Për më tepër, thuhet se baza e të dhënave është futur nga Departamenti kundër ekstremizmit i Ministrisë së Brendshme. Edhe mbiemri i oficerit, që i futi të dhënat, u regjistrua. Megjithatë, ata mohojnë se ky jam unë [në bazën e të dhënave]”.

Për Boqaevin dhe aktivistët e tjerë në Kazakistan, ky incident ofron një pamje të skenarit më të keq të mundshëm, ku përpjekja e Qeverisë për digjitalizim – që përfshin vendosjen e dhjetëra mijëra kamera vëzhguese, me softuer për njohjen e fytyrës, një sistem qendror digjital të kartave të identitetit dhe një investim afatgjatë në inteligjencën artificiale – mund të keqpërdoret, teksa Qeveria përpiqet të shmangë një përsëritje të protestave masive dhe trazirave të dhunshme të janarit të vitit 2022, të cilat kërcënuan pushtetin e presidentit Qasym-Zhomart Toqaev.

Shqetësimet rriten për faktin se një pjesë e madhe e pajisjeve dhe bazës teknologjike të strategjisë për digjitalizimin e Kazakistanit vjen nga Kina.

Serverët e të dhënave, pajisjet e telekomunikacionit, mikroçipat dhe kamerat vëzhguese, të prodhuara në Kinë, janë bërë themeli i ambicieve të Kazakistanit për një të ardhme digjitale, që morën një hov të ri në shtator kur presidenti Toqaev njoftoi për krijimin e një ministrie të re për inteligjencë artificiale.

Shqetësimi, thanë ekspertët për REL-in, nuk ka të bëjë vetëm me faktin që vendi i Azisë Qendrore mund të varet nga kompanitë kineze për zhvillimin teknologjik, por edhe se mund të adoptojë modelin e mbikëqyrjes publike dhe të censurës që ekziston në Kinë, ku liritë civile dhe privatësia janë gërryer në emër të kontrollit shtetëror dhe sigurisë.

“Kina, si në aspektin politik dhe në atë shoqëror, nuk është model për mënyrën se si duhet të përdoret teknologjia në demokraci”, tha për REL-in Dana Malikova, eksperte e të drejtave digjitale, e cila ka punuar me disa organizata të lirive të njeriut në Kazakistan. “Kina ka teknologji të avancuara, por çështja kryesore është se si përdoret kjo teknologji [në Kazakistan]”.

Një sistem i mbikëqyrjes i Kazakistanit

Toqaev është përqendruar në digjitalizim për t’i hapur rrugë mundësive të reja ekonomike për shtetin e tij, duke njoftuar gjatë fjalimit drejtuar kombit më 8 shtator se ai dëshiron që “Kazakistani të shndërrohet në një shtet plotësisht digjital brenda tre vjetësh”.

Një pjesë kyç e strategjisë është zhvillimi i kompanive lokale të Kazakistanit, që Toqaev ka thënë se do të ndihmojnë vendin që të shndërrohet në aktor për teknologji në rajon. Kompanitë kazake veçse kanë zhvilluar një sërë produktesh vendëse që përdoren në mbarë vendin, përfshirë Target AI, të themeluar më 2019, i cili ka zhvilluar programin TargetEYE që e identifikoi Boqaevin këtë verë në aeroportin e Almatit.

Shumë nga kompanitë më të suksesshme teknologjike vendëse të Kazakistanit kanë sisteme me njohjen e fytyrës, asistencën me inteligjencë artificiale dhe identifikim biometrik, të cilat nxiten nga sasia gjithnjë e në rritje e të dhënave të mbledhura përmes dhjetëra mijëra kamerave mbikëqyrëse të vendosura në kryqëzime të rrugëve dhe mbi ndërtesa në mbarë vendin.

Disa nga këto kamera janë instaluar nga bizneset private dhe individë, por shumica më e madhe bëjnë pjesë në programet shtetërore të integruara me teknologjinë e njohjes së fytyrës – përmes inteligjencës artificiale – sikurse TargetEYE.

Target AI tha për Radion Evropa e Lirë se ofron vetëm teknologjinë dhe se janë agjencitë e zbatimit të ligjit që vendosin se si të përdoren produktet e kësaj kompanie.

“Në shumicën e rasteve, kompania jonë nuk ka informacione lidhur me qëllimet apo mënyrën se si funksionet teknike të platformës përdoren”, tha kjo kompani për REL-in.

Kompania tha po ashtu për REL-in se platforma e saj veçse është integruar në sistemet policore dhe të mbikëqyrjes në tetë rajone të Kazakistanit. Kjo shtrirje e ka kthyer TargetEYE në një mjet kyç të Kazakistanit për kontrollin e kriminalitetit dhe operacioneve të reagimit të shpejt.

Por, shkalla e vendosjes së teknologjisë dhe mënyra e paqartë se si autoritetet po e përdorin kanë ngritur pyetje urgjente rreth llogaridhënies, veçmas pas incidentit me Boqaevin.

Aftësitë në rritje të Qeverisë për mbikëqyrje po ashtu shtrihen përtej Target AI.

Smart Aqkol, që është versioni vendës i konceptit të qytetit të mençur në Kazakistan, i testuar në një qytezë të vogël në veri të Astanës, u krijua si pjesë e një marrëveshjeje midis Kazakhtelecom, kompanisë kombëtare të telekomunikacionit të Kazakistanit, Eurasian Resources Group – një kompani minerare e mbështetur nga shteti – dhe Tengri Lab, një startup kazak i teknologjisë.

Rëndësia e këtij modeli është zbehur në deklaratat e Qeverisë në vitet e fundit, e cila ka favorizuar produkte të tjera të mbikëqyrjes të krijuara në shtet, por ai nxjerr në pah dëshirën e Astanës për të ndërtuar entitete të veta kombëtare.

Një tjetër projekt i krijuar në Kazakistan quhet Sergek, që nisi si një sistem me inteligjencë artificiale për mbledhjen e të dhënave për komponentët e sigurisë në qytetin e mençur të Astanës dhe që atëherë po përdoret gjithnjë e më shumë.

Qeveria kazake ka thënë se qëllimi i këtyre projekteve është të përmirësojë sigurinë publike dhe të luftojë krimin përmes sistemeve të qytetit të mençur që lidhin kamerat dhe softuerin e njohjes së fytyrës me terminalet dhe qendrat komanduese të policisë për të ofruar monitorim të gjerë.

Por, ekzistojnë gjithashtu shqetësime mbi mënyrën se si Qeveria e Kazakistanit do të përdorë të gjitha të dhënat që po mbledh.

“Rreziku është shumë më i lartë për shkak të përdorimit të njohjes së fytyrës”, tha Malikova. “Ato të dhëna biometrike mund të përdoren si kundër qytetarëve, ashtu edhe kundër sigurisë kombëtare të vendit [nëse bien në duar të gabuara]”.

Numri i saktë i kamerave të vendosura në të gjithë vendin përmes programeve qeveritare nuk dihet, por zyra e kryetarit të Almatit ka thënë se vetëm ky qytet ka të paktën 128.000 kamera, të cilat, sipas Dmitry Panchenko, drejtori komercial i Target AI, janë të lidhura me sistemin e kësaj kompanie.

Edhe 6.000 kamera të tjera janë të lidhura me sistemin në Atyrau, ndërsa rajoni i Pavlodarit ka tashmë të paktën 5.000 kamera të lidhura në sistem dhe, sipas zyrtarëve lokalë, planifikon të instalojë 4.200 kamera të reja gjatë tre vjetëve të ardhshëm.

Ministria e Mbrojtjes i tha REL-it se 14.000 kamera janë të instaluara në ndërtesa shtetërore, që janë nën kontrollin e saj, dhe se të dhënat në formë të videove ruhen në serverë brenda njësiteve ushtarake, ku thonë se nuk ka pasur asnjë shkelje të masave të sigurisë.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për numrin e kamerave që ka vendosur në mbarë vendin dhe për mënyrën se si ruhen dhe përdoren të dhënat. Një zëdhënës tha vetëm se të dhënat në formën e videove “janë të mbrojtura me mjete moderne” dhe se deri tani nuk ka pasur incidente të sigurisë.

“Të gjitha kamerat e instaluara në organet e punëve të brendshme i nënshtrohen auditimeve të sigurisë. Kamerat e instaluara nuk janë të lidhura me internetin, por funksionojnë në një rrjet të mbyllur”, tha zëdhënësi.

A po synon Kazakistani që të ndjekë modelin e Kinës?

Deri më tani, sistemi në zgjerim i mbikëqyrjes në Kazakistan është promovuar për efikasitetin dhe përfitimet që sjell në fushën e sigurisë, pasi ka çuar në ulje të niveleve të krimit lokal dhe në një menaxhim më efikas të trafikut në qytetet e mëdha.

Por, presidenti Toqaev ka folur gjithashtu për zgjerimin e mbikëqyrjes si një çështje të rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht pas trazirave të janarit të vitit 2022, ku u vranë të paktën 238 persona, shumica dërmuese civilë. Për shkak të trazirave u dislokua një kontingjent trupash, kryesisht rusë, nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) për të ndihmuar në rivendosjen e rendit.

“Kamerat që kemi vendosur në shumë qytete të mëdha po luajnë një rol shumë pozitiv”, tha ai në një fjalim drejtuar kombit në shkurt të vitit 2022, pasi protestat dhe trazirat ishin qetësuar.

“Ne duhet jo vetëm të rivendosim rendin publik, por edhe të rrisim numrin e kamerave. Çështja nuk ka të bëjë me mbikëqyrje të plotë apo me monitorimin e veprimeve të qytetarëve tanë; kjo është një çështje e sigurisë”, shtoi ai.

Edhe pse Toqaev nuk ka thënë troç se dëshiron që Kazakistani të ndjekë qasjen që ka Kina sa i përket mbikëqyrjes, ai ka lavdëruar kompanitë kryesore kineze që janë bërë udhëheqëse në këtë fushë, sikurse gjatë një qëndrimi në Kinë më 2019 kur vizitoi kompaninë Hikvision, që është prodhuesi më i madh në botë për kamera të mbikëqyrjes.

Të dyja kompanitë kineze, Hikvision dhe Dahua, një tjetër firmë kryesore e kamerave të mbikëqyrjes, përdoren gjerësisht në Kazakistan, por të dyja kompanitë, që janë pjesërisht në pronësi shtetërore, u vendosën nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2020 për shkak se ndihmuan Pekinin në shtypjen e ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në Ksinjang.

Të dy këto kompani janë përdorur – madje edhe promovuar – për aftësitë e tyre për të gjurmuar njerëz të cilësuar si “të dyshimtë” dhe për të identifikuar fytyra në bazë të përkatësisë etnike.

Teksa kompanitë kineze kanë gjetur një treg të madh në Kazakistan, shkalla e plotë e bashkëpunimit midis Qeverisë kazake dhe Pekinit mbetet e panjohur. Marrëveshjet ndërqeveritare midis Astanës dhe kompanive kineze publikohen online, por nuk përmbajnë detaje specifike në lidhje me kontratat e lidhura me kompanitë kineze të teknologjisë së informacionit dhe nuk ka të dhëna publike për kushtet, obligimet apo afatet e atyre kontratave.

Por, zbulimi i më shumë se 100.000 dokumenteve të kompanisë private kineze Geedge Networks, të publikuara në shtator, tregoi se Qeveria e Kazakistanit po i drejtohet Kinës për të blerë sisteme më të sofistikuara të censurës dhe mbikëqyrjes.

Sipas InterSecLab, një institut global i kërkimeve të forenzikës digjitale që analizoi këtë zbulim të dokumenteve, Kazakistani duket të jetë klienti i parë ndërkombëtar i Geedge Networks për një sistem censurimi të modeluar sipas Murit të Madh Digjitale të Kinës, që u mundëson përdoruesve të monitorojnë informacionin online, të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe mjete të VPN-it, si dhe të spiunojnë individë specifikë.

Në raportin e InterSecLab mbi këto dokumentet u tha po ashtu se Kazakistani më parë ishte mbështetur në teknologjinë e Sistemit të Rusisë për Masa të Hetimeve Operacionale (SORM) për pajisjet e mbikëqyrjes dhe softuerëve në rrjetet e tij të telekomunikacionit.

Por, sipas raportit, dokumentet përbëjnë “provë kyç se aparati i mbikëqyrjes së internetit të Kazakistanit buron nga Kina, përmes kompanisë Geedge, dhe jo nga Rusia, siç kishin pretenduar më parë hulumtimet”.

Komiteti për Siguri Kombëtare (KNB), agjencia kryesore e inteligjencës në Kazakistan, ia referoi pyetjet e REL-it Ministrisë së Inteligjencës Artificiale dhe Zhvillimit Digjital, e cila tha se informacionet në këto dokumente “nuk përkojnë me realitetin”.

Si do të duket e ardhmja digjitale e Kazakistanit?

Përderisa pajisjet e të avancuara dhe me kosto të ulët nga Kina luajnë një rol të madh në Kazakistan, kompani të tjera të huaja po hyjnë gjithashtu në treg.

Produktet e kompanive suedeze Axis Communications dhe të kompanisë jugkoreane Hanwha Vision përdoren gjithashtu në të gjithë vendin, ndërsa Astana së fundmi njoftoi një marrëveshje me Presight AI, një startup i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që fitoi një kontratë të madhe për të zëvendësuar sistemin Segek të monitorimit të trafikut në kryeqytetin kazak. Kjo marrëveshje parasheh instalimin e 22.000 kamerave të reja në qytet, të cilat do të lidhen më pas me programin e Emirateve.

Shumë ndërtesa të reja banimi në qytetet e mëdha të Kazakistanit kanë instaluar pajisje Face ID në hyrjet e tyre, të cilat lejojnë banorët të mos përdorin çelësin tradicional, por të identifikohen me gjurmën biometrike të fytyrës.

Qeveria kazake gjithashtu bëri publike në tetor 2024 planet për të nisur një sistem kombëtar të centralizuar për verifikim biometrik në distancë, i cili do të zbatohet në të gjitha industritë kryesore. Më pas, në gusht, Kazakistani detyroi bankat dhe organizatat mikro-financiare që të kryejnë verifikimet biometrike për dhënien e kredive online.

Oyuna Baldakova, hulumtuese në projektin DIGISILK në Kolegjin Mbretëror të Londrës, i tha REL-it se rritja e centralizimit e të dhënave të detajuara në vend rrit dobësitë në siguri. Një bazë e centralizuar e të dhënave jo vetëm që është e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, por gjithashtu mund të rrjedhë në publik, siç ndodhi në qershor.

Ajo gjithashtu mund t’iu shitet kompanive ose qeverive të tjera, ose të përdoret për mbikëqyrjen e qytetarëve të caktuar.

“Me kalimin e kohës, do të krijohet një nivel të dhënash ku shteti mund të përfshihet dhe të ndjekë njerëzit”, i tha Baldakova REL-it. “Ky mund të jetë një problem i madh në një sistem që nuk ka mekanizma të mirë kontrolli”.

Ajo shtoi se brenda Kazakistanit ekziston ende një hendek digjital midis qendrave urbane dhe pjesëve të mëdha të vendit që kanë lidhje të dobët ose fare qasje në internet.

Qeveria e Kazakistanit ka thënë po ashtu se aktualisht ka mungesë të inxhinierëve për të ndërtuar sistemet digjitale dhe po përpiqet të tërheqë më shumë investime të huaja në fushën e inteligjencës artificiale. Baldakova tha se ende “nuk ka kapacitet të mjaftueshëm” për ta bërë shtetin krejtësisht digjital, ashtu siç ka thënë Toqaev.

“Në të njëjtën kohë, shteti ende ka kapacitetin për të identifikuar individë të caktuar që paraqesin interes për të”, tha ajo. “Ata mund t’i gjurmojnë dhe ndjekim përmes këtyre sistemeve digjitale, internetit dhe rrjeteve të telekomunikacionit”./ REL



Ju sugjerojmë

Vrasja e gjyqtarit, arrestohet xhaxhai i autorit dhe roja i sigurisë
Aktualitet

Opozita kërkon shpalljen Dëshmor i Atdheut për gjykatësin e ndjerë Astrit Kalaja

8 Tetor, 2025 11:03 am
“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic
Aktualitet

“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic

8 Tetor, 2025 10:55 am
Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja
Aktualitet

Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja

8 Tetor, 2025 10:49 am
Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA
Bota

Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA

8 Tetor, 2025 10:31 am
Rama, mesazh ndërgjegjësimi grave dhe vajzave: Kryeni mamografinë falas
Aktualitet

Rama, mesazh ndërgjegjësimi grave dhe vajzave: Kryeni mamografinë falas

8 Tetor, 2025 8:49 am
Parashikimi i motit për sot, 9 korrik 2025
Kryesore

Kthjellime dhe reshje të pakta shiu, parashikimi i motit për këtë të mërkurë

8 Tetor, 2025 8:47 am
Horoskopi për ditën e sotme, 20 janar 2025
Kryesore

Horoskopi, 8 tetor 2025

8 Tetor, 2025 8:28 am
Zgjedhjet e nëntorit, kush e merr mandiatin e deputetit të Manastirliut dhe Mersinit
Politikë

Zgjedhjet e nëntorit, kush e merr mandiatin e deputetit të Manastirliut dhe Mersinit

7 Tetor, 2025 11:18 pm
Ermal Hasimja tërhiqet nga kandidimi për Tiranën: Mbështes Florian Binajn
-U tha në Opinion

Ermal Hasimja tërhiqet nga kandidimi për Tiranën: Mbështes Florian Binajn

7 Tetor, 2025 10:27 pm
Shehaj: PD na preu në besë, por ne do mbështesim Florian Binajn
-U tha në Opinion

Shehaj: PD na preu në besë, por ne do mbështesim Florian Binajn

7 Tetor, 2025 10:23 pm
Para
Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA

Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA

Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja

Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja

“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic

“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic
















TE FUNDIT

Opozita kërkon shpalljen Dëshmor i Atdheut për gjykatësin e ndjerë Astrit Kalaja

Vrasja e gjyqtarit, arrestohet xhaxhai i autorit dhe roja i sigurisë
8 Tetor, 2025

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që po zhvillohet aktualisht në Kuvend, ligjvënësit nga radhët e opozitës kanë kërkuar që...

Lexo më shumë

“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic

“Asnjë gjykatë nuk plotëson kushtet”, kreu i GJKKO: Në sallë duhet të ketë polic
8 Tetor, 2025

Kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, deklaroi se siguria në gjykatat e vendit mungon në 99% të rasteve. Teksa...

Lexo më shumë

Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja

Familjarë, kolegë e politikanë bëjnë homazhe për gjykatësin e vrarë Astrit Kalaja
8 Tetor, 2025

Në Pallatin e Kongereseve po zhvillohen homazhet për nder të gjykatësit Astrit Kalaja, të vrarë të hënën në sallën e...

Lexo më shumë

Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA

Mbyllja e qeverisë, mungesa e kontrollorëve shkakton vonesa në aeroportet e SHBA
8 Tetor, 2025

Administrata Federale e Aviacionit paralajmëron se nuk do të ketë mjaftueshëm kontrollorë të trafikut ajror në kullën e Aeroportit Ndërkombëtar...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com