Ky shkrim nga Dosti Banushi është publikuar për herë të parë në Yale Journal of International Affairs.
Nuk ka kërcënim më të madh ndaj dinjitetit njerëzor sesa politikëbërja e korruptuar. Shtetet e Bashkuara premtuan një vit më parë se do ta sulmojnë këtë të keqe sociale përmes Strategjisë Kundër Korrupsionit (SKK). SHBA u angazhua për të pompuar më shumë fonde, për të nxitur aparatet kundër pastrimit të parave dhe për t’i vënë para përgjegjësisë të korruptuarit, në një përpjekje për të “promovuar prosperitet dhe siguri për njerëzit në mbarë botën”. Por ky premtim duket se ka rënë në të njëjtën humnerë ku vuajnë njerëzit që duhen shpëtuar. Pyetjet përmes të cilave ato vajtojnë jehojnë bosh: Pse jeta ime vlen kaq pak? Pse nuk mund të krijoj një të ardhme më të mirë? Pse është kaq e vështirë të ndjek ëndrrat e mia?
U zgjova për përgjigjen. Mëngjesin e 11 nëntorit 2005, e ardhmja e babait tim u gjymtua nga një vendim korruptiv. Qeveria e re e krahut të djathtë të Shqipërisë, me Sali Berishën në krye, ndërmori të ashtuquajturën “Reformë Administrative” ndaj Gardës së Republikës, një trupë speciale ushtarake që mbron personalitetet shtetërore. “Reforma Administrative” u konsiderua nga shumë njerëz që shkarkoi si një manovër e qëllimshme për të punësuar miqtë e qeverisë së djathtë në poste kyçe. Praktikë kjo që ka plagosur vendin tonë prej kohësh.
Vite bosh na erdhën. Pa vakte të mjafta në shtëpi. Pa kënde lojërash. Pa akullore gjatë verës. Pa ngrohje gjatë dimrit. Pa ëndrra. Aspiratat tona mbaheshin brenda burgut të pafuqisë. Ne vuanim aty sepse zyrtarët abuzonin me pushtetin. Jashtë, mëkatarët bridhnin lirshëm. Barqet e tyre plot me ambicie të kënaqura dëshmonin se burimet e shoqërisë sonë po shqyheshin. E nesërmja s’mund të ishte e jona.
U duk sikur nuk do ishte as e Berishës. Para pak kohësh ai u shpall persona non-grata nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së, “për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor.” Por lideri i parë i PD-së, fitimtari i saj kryesor, një ish-kryeministër dhe President i gjithëpushtetshëm, dhe deputet i përjetshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha nuk u gjunjëzua.
Në tetor 2021, ai ngriti një padi për shpifje kundër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së. Në zgjedhjet e pjesshme të marsit, i dalë nga letargjia, ai fitoi një nga bashkitë më të mëdha të veriut. Në maj 2022 ai rimori kontrollin e partisë më të madhe opozitare të Shqipërisë, Partisë Demokratike (PD). Vitin e ardhshëm ai do të jetë në krye të opozitës në zgjedhjet lokale. Ky fakt trishtues tregon se lëvizja e SHBA-së për ta shpallur atë person non-grata ka rezultuar vetë-shkatërruese. Në vend që të ndihmojë drejtësinë, ka fuqizuar forcat antidemokratike.
Një humbje e SKK në Shqipëri kërcënon rolin e ShBA si promovuese e demokracisë. Së pari, përveç përcaktimit të Berishës si person non-grata, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër përmes Strategjisë. Me këtë ritëm, SKK rrezikon të rezultojë e shterpë, duke pasqyruar pamundësi për të luftuar aleanca të rënda antidemokratike, si ajo e Putinit dhe Lukashenkos, apo e Erdoganit dhe Orbanit.
Së dyti, ShBA do të detyrohet të ngrijë marrëdhëniet me PD-në. E vetmuar nga aleatët perëndimorë, partia më e madhe opozitare në Shqipëri mund të kërkojë miq diku tjetër. Që tani ka akuza ndaj PD-së se ka marrë fonde ruse. Ndërkohë, Irani ka nisur një sulm kibernetik të ashpër ndaj institucioneve të Shqipërisë, duke kërcënuar arkitekturën e sigurisë së Ballkanit. Me luftën në Ukrainë, Rusia dhe aleatët e saj janë të etur për kaos. Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë humbjen e aleatëve politikë në një rajon strategjik.
Së treti, një strategji e dështuar kundër korrupsionit do të thellonte më tej krizën në Shqipëri. Ne renditemi në vendin e 110 nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe mbetemi një nga vendet më të varfra në Evropë, me një pagë mesatare prej 436 eurosh në muaj, sipas Open Data Albania. Situata nuk mund të ndryshohet me politikëbërje arbitrare. Zgjedhjet e fundit dëshmuan se jemi në kurth. Shqiptarët mund të zgjedhin ose një Parti Socialiste, disa nga përfaqësuesit e së cilës janë të burgosur a të lidhur me krimin e organizuar, ose një Parti Demokratike që drejtohet nga një non-grata. 70% e elektoratit zgjodhën të mos votonin fare. Edhe në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, pjesëmarrja ishte vetëm 46%. Aspiratat tona mbeten të papërfaqësuara në trupin politik.
Kundërhelmi ndaj korrupsionit është mbushja e trupit politik me një larmi interesash që konkurrojnë establishmentin e korruptuar. Kështu, SHBA duhet të ndihmojë Shqipërinë të ndërtojë struktura që nxisin sistematikisht hapjen, ndërlidhjen dhe llogaridhënien – sindikata të forta që do të financonin gjyqin, OSHC që do të organizonin presion kundër autoriteteve, një media e pavarur që do të zbulonte më shumë papastërti, dhe një mjedis politikash që lufton arbitraritetin. Këto i duheshin babait tim për të gjetur drejtësi. Këto do t’i përgjigjeshin kërkesës sonë për një shtet që na lejon të ndjekim aspiratat tona. Por sikurse është shprehur dikur teoricieni Richard Buckminster “Ndryshimi s’vjen duke luftuar realitetin ekzistues. Për të ndryshuar diçka, duhet ndërtuar një model i ri që e bën të vjetrin jofunksional.”
Shtetet e Bashkuara kanë investuar miliona për një reformë në drejtësi që duket se më në fund po jep disa fryte. Burgosja e ish-ministrave të Brendshëm dhe Mjedisit për shpërdorim detyre, është një arritje e paprecedentë që sinjalizon se sistemi ynë i drejtësisë mund të fillojë të mbajë përgjegjës ata që kryejnë veprime arbitrare. Koha do e tregojë sa të vërtetë mban kjo fjali.
Por nuk do jetë mjaftueshëm. Siç sugjeron Fondi Gjerman Marshall, financimi i vendeve perëndimore për shoqërinë civile në Shqipëri shpesh humbet vet në korrupsion. Përpjekje intensive për të ushqyer gazetarinë investigative nuk ka. Ndonjëherë donatorët inkurajojnë një lloj aktivizmi “ndryshoi gjërat nga brenda”, çka i detyron aktivistët të bashkëpunojnë me politikanë të korruptuar.
Politika organizon hapësirën midis nesh. Kjo hapësirë mundësish mund të rregullohet saktë vetëm kur pjesë të ndryshme të shoqërisë përfaqësohen në proces. Kësisoj, ndërtimi i një modeli të ri në politikën shqiptare duhet të udhëhiqet nga tre parime: hapja, risia dhe konkurrueshmëria.
Ambasadat dhe organizatat e huaja bashkëpunojnë me qeverinë për të nxitur axhenda të ndryshme dhe korniza rregullatore. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Shqipërinë si një vend që po nis procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Aktorët e huaj, të nxitur nga SKK, duhet të përdorin rrjetin e tyre ekzistues për të ushtruar presion ndaj autoriteteve që këta të fundit të përfshijnë në procesin e vendimmarrjes aktorë jashtë dy partive kryesore politike. Kjo do t’i hapte rrugën një shumëllojshmërie interesash në arenën publike.
Së dyti, aktorët ndërkombëtarë – duke përfshirë ambasadën e SHBA-së – duhet të financojnë më shumë aktivistë për projektet e tyre komunale. Nëpërmjet SKK, Shtetet e Bashkuara mund të derdhin më shumë para në projekte që fokusohen specifikisht në trajtimin e korrupsionit. Kjo i hap rrugën ideve të reja, mënyrave të reja të organizimit dhe linjave të reja të të menduarit. Risia sjell pazakonshmëri dhe paparashikueshmëri, cilësi këto që kërcënojnë establishmentin. Shtetet e Bashkuara duhet të përqafojnë këto virtyte në Strategjinë Kundër Korrupsionit.
Konkurrueshmëria është elementi i tretë thelbësor që siguron një sferë publike të shëndetshme. Një nga mënyrat se si mund të arrihet kjo është lejimi i sa më shumë lojtarëve në arenën politike. Të udhëhequr nga interesi vetjak, ato ruajnë veprimet e njëri-tjetrit, duke rritur mundësinë e konkurrencës së ndershme. Në terma konkretë, SKK mund të lehtësojë lindjen e strukturave të reja sikurse grupet joformale, OJQ, OSHC, organizata mediatike, ose sindikata. Këto struktura mund ta pajisin mjedisin politik me njëfarë mprehtësie që çngulit mbetjet e sistemit të vjetër.
Abuzimi i pushtetit e tkurr jetën në një përpjekje të parëndësishme. Vetë-realizimi bëhet i pamundur në një aparat shtetëror ku asnjë strukturë policentrike nuk kontrollon korrupsionin. Ne shqiptarët qëndrojmë të ngujitur në humnerën mes asaj që jemi dhe asaj që duam të bëhemi. Është detyra jonë të bëjmë një hap përpara. Midis lirisë dhe nënshtrimit, shqiptarët do zgjidhnin lirinë.
Por ShBA ka premtuar nëpërmjet SKK që do të ndihmojë, dhe mund ta bëjë këtë vetëm nëpërmjet masave strukturore, jo sporadike. Udhëhequr nga parimet e hapjes, risisë dhe konkurrencës, SKK mund t’i japë një dorë aktorëve lokalë në krijimin e një alternative afatgjatë që i qëndron kundër establishmentit. Me të bërë këtë, Shtetet e Bashkuara provojnë qëndrueshmërinë e strategjisë së tyre në trajtimin e aleancave shumë më të ashpra antidemokratike. Një implementim i suksesshëm i SKK e çon ShBA gjithashtu më afër ambicies së saj për t’u bërë gardian i demokracisë, duke i pajisur njerëzit me mjetet e nevojshme për të luftuar për një të ardhme më të mirë. Derisa koha e vakët të bëhet e qartë. Dhe ne të zgjohemi në një vend ku mund të ëndërrojmë.
* Dosti Banushi është aktivist politik, fitues i çmimit “Gazetari i Vitit”, dhe publicist. Aktualisht studion “Politikë dhe Komunikim” në Universitetin e Amsterdamit me një bursë nga Bashkimi Evropian. Ai mund të kontaktohet në: [email protected]