Europa, ka përjetuar dimrin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në historinë e saj.
Shërbimi i Ndryshimit të Klimës së Kopernikut (C3S) tha se midis dhjetorit 2019 dhe shkurtit 2020, temperaturat ishin 3.4 gradë Celsius mbi temperaturat mesatare krahasuar me vitet 1981 dhe 2010.
Ekspertët e Bashkimit Evropian për klimën, thanë se temperaturat ishin po ashtu, 1.4 gradë më të ngrohta se dimri më i ngrohtë i regjistruar më parë, më 2015-2016. Sipas organizatës, më të prekurat nga tendenca e ngrohjes ishin, Evropa Veriore dhe Lindore.
Drejtori i organizatës, Carlo Buentempo, duke e cilësuar këtë si një ngjarje ekstreme, u shpreh se situata nuk mund t’i atribuohet vetëm ngrohjes globale, megjithëse sipas tij ka mundësi që ajo të kontribuojë në këto ndryshime.
“Ndërsa kjo ishte një ngjarje me të vërtetë ekstreme në vetvete, ka të ngjarë që ajo të jetë bërë më ekstreme nga tendencat globale të ngrohjes” tha ai./Opinion.al